Pas reagimeve të shumta të qytetarëve dhe publikimit në rrjetet sociale të videos ku tre adoleshente dhunojnë një 17-vjeçare në Fier, ka reaguar zyrtarisht Drejtoria Vendore e Policisë Fier.

Përmes një njoftimi, policia sqaron se ngjarja ka ndodhur më 8 qershor 2026 dhe se denoncimi është bërë po atë ditë nga 17-vjeçarja, e cila u paraqit në Komisariatin e Policisë Fier së bashku me nënën e saj.
Sipas policisë, menjëherë pas kallëzimit janë kryer veprimet hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë. Tre vajzat e përfshira në ngjarje, një 19-vjeçare dhe dy 15-vjeçare, janë shoqëruar në komisariat, ku kanë pranuar se kishin ushtruar dhunë ndaj bashkëmoshatares së tyre për motive të dobëta.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë më 9 qershor për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, në ngarkim të të treja të dyshuara.
Policia bën të ditur gjithashtu se më 28 qershor, njëra prej 15-vjeçareve të përfshira në këtë rast u arrestua pas një ngjarjeje tjetër, pasi u kallëzua nga nëna e saj për ushtrim dhune dhe shkaktim dëmtimesh fizike. Pas procedurave përkatëse, ajo u dërgua për trajtim në një institucion të specializuar të shëndetit mendor në Tiranë.
Në reagimin e saj, Drejtoria Vendore e Policisë Fier thekson se ka vepruar në përputhje me ligjin dhe në koordinim të plotë me Prokurorinë, duke kundërshtuar perceptimet se rasti nuk është trajtuar me seriozitet.
Publikimi i videos ka rikthyer debatin mbi dhunën mes të miturve dhe nevojën për ndërhyrje më të shpejtë të institucioneve, ndërsa hetimet për këtë ngjarje vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë.
©ZëriOnline


