Një tjetër talent i ri shqiptar po ngjit me sukses shkallët e muzikës klasike duke rrëmbyer vëmendje ndërkombëtare. Violinistja Lucia Roci është vlerësuar me dy çmime prestigjioze në “Berlioz International Music Competition 2026”, një konkurs ndërkombëtar online që mbledh instrumentistë të rinj nga vende të ndryshme të botës.
Falë një interpretimi të vlerësuar për nivelin e lartë teknik dhe ndjeshmërinë artistike, Lucia Roci u shpall fituese e Çmimit të Artë (Gold Prize) në kategorinë e violinës për grupmoshën e të rinjve 11-13 vjeç. Përveç këtij vlerësimi, juria ndërkombëtare i akordoi edhe Çmimin Special “Unique Character”, një çmim i rezervuar për artistët që spikasin për personalitetin e tyre interpretues dhe origjinalitetin.


“Berlioz International Music Competition” është një konkurs ndërkombëtar i muzikës klasike që zhvillohet në format online dhe mbledh pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës. Performancat vlerësohen nga një juri profesionale ndërkombëtare, ndërsa çmimet u jepen artistëve që dallohen për cilësinë e interpretimit dhe nivelin artistik.
Ky sukses përfaqëson një arritje të rëndësishme për violinisten e re shqiptare që ka nisur suksesshëm rrugëtimin e saj artistik dhe njëkohësisht një vlerësim për shkollën shqiptare të muzikës klasike. Lucia është nxënëse e shkollës artistike “Jan Kukuzeli” dhe sapo ka mbaruar klasën e pestë.

Arritja e saj është rezultat i talentit, përkushtimit dhe punës së vazhdueshme, si edhe i mentorimit profesional të violinistit dhe mësuesit të saj Arben Diko, nën drejtimin e të cilit Lucia ka ndërtuar formimin e saj artistik.
Fitimi i dy çmimeve në një konkurs me pjesëmarrjen e instrumentistëve nga e gjithë bota shënon një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e Lucias dhe dëshmon potencialin e saj për të përfaqësuar Shqipërinë në skenat ndërkombëtare të muzikës klasike.
Ky vlerësim është një arsye krenarie për artin shqiptar dhe një dëshmi se talentet e reja, të mbështetura nga puna, përkushtimi dhe udhëheqja profesionale, mund të arrijnë rezultate të rëndësishme edhe në arenën ndërkombëtare.
Urime Lucia Rocit për këtë sukses dhe përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në konkurse të muzikës klasike ndërkombëtare!
V. Q.
©ZëriOnline


