Bishti i Pallës, Perlë e Adriatikut që po mbytet nga papërgjegjshmëria

Date:

Share post:

Fotot flasin vetë. Dhjetëra shishe birre, kanaçe dhe mbetje të hedhura mes gurëve buzë detit, në një nga zonat më të qeta të bregdetit të Durrësit. Kjo nuk është thjesht ndotje, është mungesë respekti ndaj natyrës dhe ndaj atyre që do ta vizitojnë nesër e më vonë. Është një masakër ndaj mjedisit.

Bishti i Pallës, i njohur edhe si Kepi i Palit, shtrihet në veri të Durrësit dhe krijon një peizazh unik me brigje shkëmbore, gjire të vegjël, laguna dhe ekosisteme të pasura. Zona është e frekuentuar nga peshkatarë, familje dhe të rinj që zgjedhin qetësinë larg plazheve të mbipopulluara. Vitet e fundit organizohen dhe festa të grupeve rinore që duan t’i shmangen plazheve masive dhe syrit të të tjerëve. Gjithashtu, është pjesë e një itinerari natyror që lidh Bishtin e Pallës me Gjirin e Lalzit, duke kaluar pranë zonave lagunore dhe habitateve me rëndësi për shpendët dhe biodiversitetin.

Por pas çdo fundjave, dite plazhi apo feste, pamja ndryshon. Çfarë duhet të ishte një breg i pastër shkëmbor i Adriatikut, mbulohet nga shishe qelqi, plastikë dhe mbetje të tjera.

“Shumë zonë e bukur, por po e prishin. Argëtohen dhe i lënë aty plehrat. Është një nga zonat e fundit të paprekura në bregdetin e Durrësit, por po ndotet nga persona të papërgjegjshëm.”, thotë Ariani që e viziton shpesh me familjarët e vet këtë pjesë të bregdetit.

Shumë vizitorë e shijojnë natyrën për disa orë, por largohen duke lënë pas gjurmë që dëmtojnë mjedisin për vite me radhë.

Ironia është e hidhur. Njerëzit shkojnë në Bishtin e Pallës për të gjetur qetësi dhe bukuri natyrore, por janë pikërisht disa prej tyre që e shkatërrojnë atë. Një shishe e hedhur nuk është vetëm mbeturinë, është rrezik për faunën, për vizitorët dhe një njollë mbi një nga pasuritë natyrore të Adriatikut shqiptar.

Ruajtja e kësaj zone nuk është vetëm detyrë e institucioneve. Është përgjegjësi e secilit prej nesh. Nëse ke fuqi të marrësh me vete pije dhe ushqime për piknik a festa, ke edhe fuqi t’i marrësh përsëri mbetjet me vete. Natyra nuk ka nevojë për duartrokitje apo postime në rrjetet sociale. Ka nevojë për respekt.

Bishti i Pallës nuk meriton të mbahet mend për shishet e braktisura, por për bukurinë e tij të egër. Ta mbrojmë sot, që nesër të mos na mbetet vetëm në fotografi.

L. B.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Presidenti Begaj dekreton ligjin për reformën territoriale

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin për ndarjen e re administrativo-territoriale të Shqipërisë. Reforma, që parashikon reduktimin e...

Kundërshtimi i pagave të drejtësisë nga gjyqsori, Kushtetuesja do ta shqyrtojë më 2 dhjetor

Më 2 dhjetor Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë kërkesën e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve për pagat. Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve,...

Britani/Ministrja e Brendshme prezanton sot masat e reja për emigracionin

Ministrja e Brendshme britanike, Shabana Mahmood, pritet të bëjë sot një deklaratë për ndryshimet e reja në ligjet...

Bolonja/Plantacion kanabisi në kompleks industrial, arrestohet shqiptari

Një plantacion gjigant me kanabis, qindra kilogramë lëndë narkotike, një pjesë e mbledhur dhe në proces tharjeje, një...