Një ngjarje e paprecedent është regjistruar dje në Golem, duke çuar sot në pranga administratorin dhe 4 punonjës të një resorti, që dyshohet se kanë mbajtur të mbyllur për një kohë të konsiderueshme punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilët ndodheshin në ambientet e biznesit për ushtrimin e detyrës.
Sipas Policisë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Kavajës ndërhynë pas kallëzimit të bërë nga inspektorët e Tatimeve dhe vunë në pranga, në flagrancë, administratorin e resortit te Mali i Robit, Saimir Ndreca, 34 vjeç, si edhe shefin e financës, Zaho Jaçaj, 56 vjeç, shefin e sigurisë, Artan Kasa, 56 vjeç, dhe dy punonjësit e sigurisë, Hamid Sula, 64 vjeç, dhe Bujar Agolli, 57 vjeç.
Nga hetimet paraprake dyshohet se pesë të arrestuarit, duke vepruar në bashkëpunim, dje, më 18 korrik, kanë penguar dhe kanë privuar nga liria punonjësit e Task Forcës së Tatimeve, duke i mbajtur të izoluar brenda ambienteve të resortit, ndërsa këta të fundit po kryenin kontroll në kuadër të detyrës së tyre.
Ndaj të arrestuarve rëndon akuza për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe veprimet e mëtejshme ligjore.
Morën peng grupin e kontrollit të Tatimeve, arrestohet administratori i resortit dhe 4 punonjës.
Date:
Share post:


