Një ngjarje kriminale është zbardhur nga Policia e Lezhës, ku tre persona kanë marrë me forcë një 28-vjeçar, e kanë transportuar nga Kruja drejt Lezhës dhe më pas e kanë dhunuar, me pretendimin se nuk kishte shlyer pagesat për dy automjete të marra me qira.
Në pranga kanë rënë dy vëllezër, administratorë të subjektit të dhënies së automjeteve me qira, si dhe kushëriri i tyre. Policia ka sekuestruar edhe automjetin me të cilin u krye rrëmbimi dhe transportimi i të riut.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja nisi në një karburant në fshatin Derven, ku tre të rinjtë dyshohet se e detyruan 28-vjeçarin të hipte në automjet. Më pas e transportuan drejt një karburanti në Shënkoll të Lezhës, ku e dhunuan fizikisht dhe në fund e lanë në rrugë.
Alarmi u dha nga babai i 28-vjeçarit, i cili denoncoi menjëherë rastin në polici. Falë reagimit të shpejtë të uniformave blu, autorët u lokalizuan dhe u arrestuan vetëm pak minuta pas kallëzimit.
I dëmtuari u dërgua në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku mori ndihmën mjekësore të nevojshme.
Ndaj tre të arrestuarve me mbiemër Marku rëndojnë akuzat për “Heqje të paligjshme të lirisë”, “Vetëgjyqësi” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”, të kryera në bashkëpunim. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
©ZëriOnline


