Shqipëria pritet të përballet me një fundjavë me temperatura ekstreme, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka ngritur alarmin për rrezik të lartë të zjarreve në pyje përgjatë periudhës 29 korrik – 2 gusht.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, temperaturat do të vijojnë të rriten deri të shtunën, 1 gusht, kur në zonat e ulëta pritet të regjistrohet edhe vlera më e lartë, deri në 39.5°C, veçanërisht në bashkinë e Peqinit. Në zonat bregdetare termometri mund të arrijë deri në 38.9°C, në zonat kodrinore deri në 38.3°C, ndërsa në zonat malore deri në 33.3°C.
Rritja e ndjeshme e temperaturave shton edhe rrezikun e përhapjes së zjarreve në pyje, i cili sipas Mbrojtjes Civile do të arrijë kulmin ditën e diel.
Qarqet me rrezikun më të lartë janë Tirana, Elbasani, Fieri, Berati, Vlora dhe Gjirokastra, ndërsa për pjesën tjetër të vendit parashikohet një nivel rreziku i moderuar.
Instituti i Gjeoshkencave njofton se temperaturat do të nisin të ulen nga data 3 gusht.
©ZëriOnline


