Një person është arrestuar mbrëmjen e djeshme nga Policia e Vlorës, pasi dyshohet se qarkullonte me armë zjarri pa leje në zonën e Lungomares.
Sipas informacioneve paraprake, ndërhyrja e policisë erdhi pas një sinjalizimi për praninë e një personi të armatosur në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Menjëherë pas njoftimit, në terren u angazhuan forca të shumta policie, të cilat lokalizuan dhe neutralizuan të dyshuarin, duke e shoqëruar më pas në komisariat. Operacioni solli një prezencë të shtuar të uniformave blu në Lungomare, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe pushuesve.
Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë bërë publik identitetin e personit të arrestuar dhe as detaje mbi armën që dyshohet se mbante.
Policia e Vlorës pritet të dalë me një njoftim zyrtar, ku do të sqarojë rrethanat e ngjarjes, mënyrën e konstatimit të të dyshuarit dhe provat e sekuestruara.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit.


