Pas sulmit, Ukraina u bëri sërish thirrje aleatëve perëndimorë të furnizojnë vendin me më shumë sisteme amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot dhe raketa interceptuese, për të përballuar sulmet balistike ruse.
Rusia ka ndërmarrë një sulm masiv me raketa balistike dhe dronë ndaj Ukrainës, duke lënë të paktën 14 persona të vrarë dhe 22 të plagosur. Bëhet fjalë për një nga sulmet më vdekjeprurëse ndaj Kievit gjatë këtij viti.

Sulmi nisi pak pas mesnatës së së mërkurës. Kreu i administratës ushtarake të Kievit, Timur Tkachenko, deklaroi se “armiku po sulmon sërish masivisht rajonin e Kievit”.
Alarmet ajrore zgjatën për më shumë se një orë, ndërsa valë raketash balistike goditën kryeqytetin ukrainas dhe zonat përreth. Sipas administratës ushtarake, sulmet shkaktuan dëme në ndërtesa banimi dhe magazina.
Tkachenko bëri të ditur se nëntë persona humbën jetën në distriktin e Boryspilit, katër në Bucha dhe një tjetër në distriktin e Fastivit.
Pas sulmit, Ukraina u bëri sërish thirrje aleatëve perëndimorë të furnizojnë vendin me më shumë sisteme amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot dhe raketa interceptuese, për të përballuar sulmet balistike ruse.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se objektiv i sulmit ishin qendrat logjistike dhe depot e furnizimit në Kiev dhe zonat përreth.
“Sulmet goditën qendra ku ruheshin dhe shpërndaheshin armë e pajisje ushtarake, si edhe objekte të përfshira në prodhimin dhe shpërndarjen e mjeteve ajrore pa pilot”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Moska pretendon gjithashtu se ka goditur tre anije mallrash pranë portit të Odesës në Detin e Zi, të cilat, sipas saj, transportonin armë dhe pajisje ushtarake.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se ekziston frika se persona të tjerë mund të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja pas goditjeve në qendër të qytetit. Ai bëri të ditur se katër nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë.
“Armiku po godet edhe një herë qëllimisht civilët dhe infrastrukturën civile”, deklaroi administrata ushtarake e Kievit.
Javët e fundit Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj kryeqytetit ukrainas, ndërsa edhe Ukraina ka shtuar sulmet ndaj infrastrukturës civile në territorin rus, përfshirë objektet energjetike.
Forcat ukrainase kanë goditur në mënyrë të përsëritur edhe magazina në Rusi, mes tyre edhe ato të gjigantit rus të tregtisë elektronike Wildberries. Të martën, një sulm ndaj magazinave në rajonin e Moskës la pesë persona të vrarë dhe dhjetë të plagosur.
Një ditë më parë, autoritetet ruse njoftuan se shtatë persona u vranë dhe 58 të tjerë u plagosën pasi një dron goditi një plazh të mbushur me pushues në rajonin jugor të Krasnodarit.
Ndërkohë, Ukraina reagoi me zemërim ndaj publikimit të një videoje që tregonte një civil në Kherson duke u ndjekur nga një dron. Autoritetet ukrainase e cilësuan incidentin si një “gjueti” dhe “safari” të qëllimshëm ndaj civilëve.
Si Rusia ashtu edhe Ukraina kanë mohuar vazhdimisht se kanë në shënjestër civilët gjatë luftës



