Ka rifilluar mëngjesin e kësaj të enjteje ndërhyrja nga ajri për shuarjen e zjarrit në masivin pyjor të Lofkendit, në Mallakastër, ku prej disa ditësh flakët po përfshijnë sipërfaqe të mëdha pyjore.
Pavarësisht përpjekjeve të pandërprera të forcave në terren, zjarri mbetet aktiv dhe me përmasa të mëdha, duke rrezikuar të përhapet në një perimetër edhe më të gjerë.
Gjatë pasdites së djeshme, flakët avancuan me shpejtësi në masivet me pisha, duke përkeqësuar situatën. Zonat më problematike mbeten fshatrat Panahor, Çyçen, Riban dhe Ngraçan. Në terren janë angazhuar mjete zjarrfikëse nga disa bashki, por, sipas deklaratës së kryetarit të Bashkisë Mallakastër, izolimi i vatrave ka qenë i pamundur për shkak të përmasave të zjarrit dhe terrenit të vështirë.
Sipas përditësimit më të fundit, në Panahor zjarri vijon me intensitet të lartë, duke u përhapur drejt fshatrave Panahor dhe Çyçen, me rrezik zgjerimi edhe në drejtim të fshatit Cfir. Mbi fshatin Ngraçan, flakët mbeten aktive me intensitet më të ulët, por vazhdojnë të avancojnë drejt zonës së banuar. Në Riban, zjarri është ende aktiv në brendësi të masivit me pisha, ndërsa vatra me përmasa të konsiderueshme vijojnë edhe në masivet pyjore të Ndrenies dhe Vloshtit.
Aktualisht, në operacionin për shuarjen e zjarrit janë angazhuar katër mjete zjarrfikëse, 25 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH), 30 forca bashkiake dhe 50 trupa të Forcave të Armatosura.
Duke marrë në konsideratë terrenin e vështirë, shtrirjen e gjerë të vatrave, sipërfaqen e madhe pyjore të prekur, si dhe rritjen e rrezikut gjatë orëve të mesditës për shkak të temperaturave të larta dhe erës, autoritetet kanë kërkuar mbështetje urgjente nga ajri me të paktën dy helikopterë, për të frenuar përhapjen e mëtejshme të flakëve.


