Një ngjarje e rëndë kriminale tronditi pasditen e kësaj të shtune qytetin e Korçës, ku një 20-vjeçar u vra me armë zjarri në lagjen nr. 14. Viktima është identifikuar nga policia si Joan Zuko, i cili sipas informacioneve paraprake rezulton se ishte pjesë e Forcave të Armatosura.
Viktima dyshohet se është ndjekur nga autori përpara se të hynte brenda një pallati në lagjen nr. 14, ku nuk ishte banor. Ai dyshohet se u fut aty për t’i shpëtuar ndjekjes së autorit, por përpjekja për t’u fshehur nuk ka mjaftuar.
Autori dyshohet se e ka ndjekur deri brenda pallatit, ku ka arritur ta gjejë dhe më pas e ka qëlluar me armë zjarri, dyshohet kallashnikov. Plumbat i kanë shkaktuar plagë të rënda 20-vjeçarit, duke i marrë jetën.
Menjëherë pas të shtënave, autori është larguar nga vendngjarja dhe aktualisht ndodhet në arrati.
Autori i dyshuar, person me precedentë penal, u identifikua nga policia dhe vijon puna për kapjen e tij.
Në disa zona janë ngritur edhe postoblloqe policie, ndërsa grupi hetimor po punon për mbledhjen e provave dhe dokumentimin e plotë të skenës së krimit.
Hetuesit pritet të marrin në pyetje persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, ndërsa kamerat e sigurisë në zonë mund të jenë një element i rëndësishëm për dokumentimin e ngjarjes dhe lëvizjet e palëve në zonë.
©ZëriOnline


