Është arrestuar nga policia Kristjan Sterjo, i cili dyshohet si autor i vrasjes me armë zjarri të 20-vjeçarit Joan Zuko, ngjarje e ndodhur pasditen e sotme në Korçë.

Burime bëjnë me dije se, pas disa orësh kërkime, Policia ka arritur ta lokalizojë dhe të kapë Sterjon në afërsi të banesës së tij. Menjëherë pas kapjes, ai është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Sterjo ishte shpallur në kërkim pas vrasjes së 20-vjeçarit në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu” në Korçë.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ndodhi rreth orës 16:30, pas një konflikti mes disa personave, i cili dyshohet se u përshkallëzua deri në përdorimin e armës së zjarrit.
Joan Zuko mësohet se ka tentuar të largohet duke vrapuar dhe është futur në një pallat. Sterjo dyshohet se e ka ndjekur brenda godinës dhe e ka qëlluar nga pas, teksa 20-vjeçari po ngjiste shkallët drejt katit të tretë.
Sipas informacioneve paraprake, Zuko është goditur nga një plumb në pjesën e poshtme të shpatullës, e cila i ka përshkuar trupin. Në dorën e viktimës është gjetur edhe një thikë, ndërsa mbetet për t’u sqaruar nga hetimet nëse dhe si është përdorur ajo gjatë konfliktit.
Burime bëjnë me dije se viktima dhe i dyshuari njiheshin prej vitesh dhe ishin rritur bashkë. Sterjo rezulton, sipas të njëjtave burime, me precedentë të mëparshëm penalë për armëmbajtje pa leje dhe plagosje.
Pas ngjarjes, i dyshuari u largua nga vendi i krimit, duke vënë në lëvizje Policinë. Dëshmitarë kishin deklaruar se e kishin parë të lëvizte në drejtim të varrezave të qytetit, ndërsa kërkimet vijuan për disa orë deri në lokalizimin e tij pranë banesës.
Tre persona të tjerë janë shoqëruar në Komisariat, pasi dyshohet se mund të kenë qenë të përfshirë në konfliktin që parapriu vrasjen.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar motivin dhe dinamikën e plotë të ngjarjes, si dhe rolin e personave të tjerë të përfshirë. Pritet që Policia të japë informacion zyrtar mbi kapjen e Kristjan Sterjos dhe veprimet procedurale ndaj tij.
©ZëriOnline


