Një operacion kundër trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë është finalizuar në Maminas të Durrësit, ku dy persona janë arrestuar në flagrancë.
Operacioni i koduar “Hallkat” u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, në kuadër të hetimeve për parandalimin e trafikimit të armëve me destinacion grupet kriminale.

Në pranga është vënë M. B., 34 vjeç, banues në Kukës, i cili dyshohet se transportonte armët me automjet. Së bashku me të u arrestua edhe D. N., 39 vjeçe, banuese në Prizren, e dyshuar për moskallëzim të krimit.
Gjatë kontrollit të automjetit në Maminas, policia gjeti 3 pistoleta dhe 34 fishekë luftarakë, që dyshohet se ishin trafikuar nga Kosova. Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e 34-vjeçarit u gjet edhe një armë e ftohtë, e llojit dorezë hekuri.

M. B. akuzohet për “Trafikimin e armëve dhe të municionit” dhe “Prodhimin, mbajtjen, blerjen apo shitjen pa leje të armëve të ftohta”, ndërsa D. N. për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
©ZëriOnline


