Pushues nga Kosova dhe Polonia tregojnë momentet kur u zgjuan mes tymit dhe të bërtiturave. Disa prej tyre u hodhën nga kati i dytë për t’u shpëtuar flakëve
Pushuesit që ndodheshin në hotelin “Brooklyn” në Lungomaren e Vlorës kanë rrëfyer momentet e frikshme të zjarrit që shpërtheu në orët e para të mëngjesit. Tymi, flakët dhe të bërtiturat i zgjuan nga gjumi, ndërsa disa prej tyre u detyruan të hidheshin nga dritaret dhe ballkonet për të shpëtuar.
Një prej pushuesve me origjinë nga Kosova tregon se është hedhur nga kati i dytë, ndërsa sipas tij të njëjtën mënyrë për t’u larguar nga hoteli kanë përdorur edhe persona të tjerë.
“U hodha nga kati i dytë, kishte edhe familje të tjera që u hodhën”, ka treguar pushuesi.
Një tjetër pushues nga Kosova ka rrëfyer se ndodheshin në gjumë kur kuptuan se hoteli ishte mbushur me tym. Pasi dolën në korridor, sipas tij, u detyruan të ktheheshin dhe të drejtoheshin drejt ballkonit.
“Ishim në gjumë në orën 4 të mëngjesit, nuk e di. Dolëm në korridor, pamë shumë tym. Mbyllëm derën, shkuam në ballkon, flakë. Kërcyem nga ballkoni, kam rënë në beton a nuk e di”, thotë ai.
Momente të ngjashme përshkruan edhe një pushues nga Polonia. Ai tregon se gjatë natës kishte ndier një erë të pazakontë dhe më pas kishte dëgjuar të bërtitura. Për t’u larguar nga hoteli, edhe ai thotë se është hedhur nga dritarja.

“U zgjuam natën, nuhatëm diçka të çuditshme, dëgjuam të bërtitura. U hodhëm nga dritarja, thirrëm për ndihmë. Kaq. Jam nga Polonia. Ora ishte rreth 4 e mëngjesit”, thotë djali.
Dëshmitë e pushuesve tregojnë situatën e krijuar brenda hotelit në momentet e para të zjarrit, kur tymi kishte përfshirë ambientet dhe disa prej personave që ndodheshin brenda kërkuan rrugë alternative për të dalë.
Si pasojë e zjarrit, gjashtë persona morën ndihmë mjekësore në Spitalin e Vlorës. Pesë prej tyre u dërguan më pas drejt Tiranës për trajtim më të specializuar, ndërsa një tjetër vijon trajtimin në Vlorë.
Hetimet për shkaqet dhe rrethanat e zjarrit vijojnë.
©ZëriOnline


