Pas 48 orësh hetime, policia ka identifikuar dhe arrestuar drejtuesin e automjetit që dyshohet se përplasi për vdekje 41-vjeçarin Vasil Hasani në aksin rrugor Rrashbull–Xhafzotaj dhe më pas u largua nga vendi i aksidentit.
Hasani, banues në Rrashbull, u gjet i pajetë më 21 gusht, ndërsa automjeti që dyshohet se e kishte përplasur ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas një pune intensive hetimore, strukturat e Qarkullimit të Policisë Rrugore të Durrësit kanë bërë të mundur identifikimin e automjetit dhe drejtuesit të dyshuar.
Në vijim të veprimeve hetimore, është arrestuar Rezart Rexhepi, 38 vjeç, banues në Sukth. Policia ka gjetur edhe automjetin tip “Benz A-Class”, me të cilin dyshohet se është përplasur biçiklisti.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa 38-vjeçari dyshohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
©ZëriOnline


