Një tjetër krim i rëndë ka ndodhur brenda një familjeje shqiptare në Greqi. Një 53-vjeçar me origjinë shqiptare vrau me thikë bashkëshorten e tij 44-vjeçare në banesën e familjes në Rodope dhe më pas tentoi t’i jepte fund jetës duke pirë benzinë.
Ngjarja ndodhi në banesën ku çifti jetonte në zonën e Dialambit. Bashkëshortët kishin tre fëmijë, dy prej tyre të rritur dhe një 16-vjeçar.
Krimi ndodhi brenda shtëpisë së familjes, ndërsa një prej fëmijëve njoftoi autoritetet pas ngjarjes.
Sipas të dhënave të para, 53-vjeçari goditi me thikë bashkëshorten 44-vjeçare, duke i shkaktuar vdekjen. Pas krimit, ai dyshohet se piu benzinë në përpjekje për t’i dhënë fund jetës.
Burri u transportua në spital, ku po merr trajtim mjekësor.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia gjeti dy thika. Ato do t’i nënshtrohen ekzaminimeve në kuadër të hetimeve për të përcaktuar rrethanat e plota të vrasjes.
Çifti rezulton se kishte pasur edhe më herët një incident të raportuar te autoritetet. Në vitin 2022, në Heraklion të Kretës, 44-vjeçarja kishte denoncuar bashkëshortin për kërcënime. Në atë kohë, burri ishte arrestuar dhe ishte dërguar para prokurorit kompetent.
Ngjarja në Rodope vjen vetëm pak ditë pas një tjetër krimi brenda një çifti shqiptar në Greqi. Në atë rast, një 48-vjeçar vrau me armë ish-partneren e tij dhe më pas i dha fund jetës.
Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, një tjetër krim i rëndë me protagonistë shqiptarë ndodhi në Greqi. Më 23 gusht, 48-vjeçari shqiptar Altin Allmuça vrau me armë 45-vjeçaren Lulieta Obzova dhe më pas i dha fund jetës në Nea Smyrni të Athinës.
Sipas të dhënave Allmuça e kishte pritur 45-vjeçaren pranë pallatit ku ajo banonte. Kur gruaja doli nga ndërtesa, ai e qëlloi me armë zjarri, duke e lënë të vdekur. Menjëherë pas vrasjes, 48-vjeçari përdori të njëjtën armë për t’i dhënë fund jetës.
©ZëriOnline


