Një objekt i dyshimtë i gjetur në rrugë, në afërsi të Policisë Bashkiake në Durrës, ka shkaktuar alarm mëngjesin e sotëm.
Bëhet fjalë për një telefon të lidhur me një masë të dyshimtë, i konstatuar në aksin dytësor që lidh rrugën paralele me Portin Detar me atë Skënderbej. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila ka vendosur perimetrin e sigurisë dhe ka njoftuar forcat xheniere për verifikimin e objektit.
Sipas policisë, objekti është konstatuar në rrugë dhe nuk i është dedikuar ndonjë personi apo institucioni të caktuar. Ende nuk dihet nëse masa e dyshimtë përbën rrezik, ndërsa kjo pritet të përcaktohet pas verifikimit nga forcat xheniere.
Paralelisht, policia po punon për identifikimin e personit që e ka lënë objektin në rrugë, ndërsa po hetohet edhe pista nëse ai është vendosur me qëllim përhapjen e panikut apo ka rënë nga ndonjë automjet.
L. B./ Zëri Online
©ZëriOnline


