Një debat për mbylljen e llogarive të punës u kthye në një skenë të mirëfilltë dhune kolektive në zonën e Malit të Robit në Golem. Genti Nela, vetëm 18 vjeç, përfundoi i gjakosur dhe i kërcënuar me jetë brenda ambientit ku shërbej si banakier, vetëm sepse kërkoi djersën e punës së vet.
I punësuar që prej korrikut në lokalin e hotel “FLAR”, i riu tregoi se marrëdhënia me pronarët kishte qenë korrekte deri në mbrëmjen e 27 gushtit. Por vendimi i tij për t’u larguar u prit me refuzim, fyerje dhe agresion të menjëhershëm nga dy vëllezërit Florian e Arbër Habilaj, të mbështetur nga dy persona të tjerë. Reagimi i pronarëve përshkallëzoi në dhunë fizike me objekte të forta brenda hapësirës së ngushtë të banakut, duke i bllokuar të riut çdo rrugëdalje.
“Kërkova pagën sepse kisha vendosur të vazhdoja punën diku tjetër, por ata nuk pranuan. Floriani (njëri nga vëllezërit bashkëpronarë) më goditi i pari me grusht, ndërsa Arbëri (bashkëpronari tjetër) më gjuajti me tavëll qelqi në kokë e fytyrë. Të katërt më rrethuan; njëri, Mariglen Mosha, kunati i pronarëve, më mbante që të mos ikja, ndërsa të tjerët më godisnin pa ndërprerje dhe Enold Dragoti. Ata nxisnin njëri-tjetrin duke më thënë se do të më vrisnin, do të më zhduknin trupin dhe se nuk do të më linin të gjallë të shkoja në polici. Për t’u mbrojtur mora një gotë qelqi, e godita Florianin dhe me vrap dola jashtë, por më ndoqën sërish në rrugë. Atë natë ndjeva se po jetoja momentet e fundit të jetës.”


Pasi arriti të shkëputej për herë të dytë nga agresorët, 18-vjeçari njoftoi familjen dhe u dërgua në spital e më pas u bë denoncimi në komisariat. Gjykata ka caktuar masën “arrest me burg” me afat 45-ditor për Florian Habilajn dhe Enold Dragotin, ndërsa dy personat e tjerë janë shpallur në kërkim. Ngjarja mori një rrjedhë edhe më dramatike kur xhaxhai i të riut, i cili nxitoi me makinë për t’i ardhur në ndihmë nipit të dhunuar, u arrestua nga policia pasi në mjetin e tij u gjetën armë dhe municione, po ndërhyrja e policisë çoi në pranga atë dhe dy nga dhunuesit. Në kërkim është Arbër Habilaj.
©ZëriOnline


