Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë 19-vjeçari Indrit Shyti, i cili mbeti i plagosur rëndë në aksidentin e ndodhur pasditen e djeshme pranë Spitalit Memorial të Fierit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 16:50 në bypass-in Mbrostar-Levan. 19-vjeçari po drejtonte një automjet tip “Volkswagen” kur, në afërsi të mbikalimit, dyshohet se humbi kontrollin mbi mjetin dhe doli nga rruga. Përplasja me rrethimet ka qenë e fortë, duke lënë të plagosur drejtuesin dhe dy pasagjerët që udhëtonin me të.
Pas ndihmës së parë në Spitalin Rajonal të Fierit, Shyti u transferua me urgjencë drejt kryeqytetit për trajtim më të specializuar, por pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor, nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të këtij aksidenti tragjik.
©ZëriOnline


