Shqipëria vijon të shkëlqejë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, teksa peshëngritja kuqezi ka sjellë emocione të mëdha, medalje dhe një rekord të ri historik. Briken Calja ka triumfuar me medalje të artë dhe rekord të Lojërave, ndërsa talentja Enkileda Carja, vetëm 18 vjeçe, ka rrëmbyer medaljen e bronztë pas një gare të luftuar deri në kilogramin e fundit.
Peshëngritësja shqiptare Enkileda Carja u ngjit në podium në kategorinë 69 kg, duke fituar medaljen e bronztë në stilin e shkëputjes. Një paraqitje mjaft e mirë për shtangisten 18-vjeçare, e cila synoi deri në fund medaljen e artë.
Carja e nisi garën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke ngritur me sukses 98 kg në provën e parë. Në tentativën e dytë realizoi edhe 100 kg, duke konfirmuar formën e saj të shkëlqyer, ndërsa në provën e tretë tentoi 103 kg, por pa mundur ta finalizojë ngritjen.
Në stilin e shtytjes, gara nuk shkoi sipas pritshmërive. Shqiptarja ngriti 116 kg në provën e parë, ndërsa dështoi në dy tentativat pasuese me 121 kg dhe 122 kg, duke e mbyllur këtë disiplinë në vendin e shtatë.
Lot në sytë e Carjas në momentin e largimit nga pedana, por zhgënjimi u përzie me krenarinë për medaljen e bronztë, një rezultat tepër pozitiv për një nga talentet më premtuese të sportit shqiptar.
Deri në këtë moment, Shqipëria ka grumbulluar 6 medalje në total: 2 të arta, 1 të argjendtë dhe 3 të bronzta, duke konfirmuar një paraqitje dinjitoze në arenën mesdhetare dhe duke sjellë krenari për sportin shqiptar.
©ZëriOnline


