Njolloset finalja e vaterpolit në Lojërat Mesdhetare në Taranto.
Italia ka rrëmbyer medaljen e artë duke mposhtur Malin e Zi me rezultatin 18-14, por ajo që duhej të ishte një spektakël sportiv, u kthye në një arenë turpi dhe padrejtësish, që shokuan opinionin sportiv.
Italiani Matteo Jocchi Grata ka kafshuar lojtarin malazez Danilo Stupar. Për habinë e çdokujt që po ndiqte ndeshjen, trupa gjykuese e pa situatën “përmbys”. Gjyqtari hungarez Kovač mori vendimin shokues duke përjashtuar nga loja të kafshuarin Stupari dhe jo kafshuesin.
Trajneri malazez Dejan Savić reagoi ashpër ndaj këtij vendimi të paprecedentë, duke marrë gjithashtu një karton të kuq nga gjyqtari hungarez.
Pas përfundimit të ndeshjes, kapiteni i Malit të Zi, Vasilije Radović, nuk i kurseu akuzat për lojën jashtë rregullave të italianëve:
“Gjatë gjithë ndeshjes të kaltrit ishin mbi limitin e lejuar të agresivitetit dhe mendoj se ky ishte faktori vendimtar në humbjen tonë. Ne nuk iu përgjigjëm në mënyrë adekuate kësaj. Megjithatë, zhvilluam një turne të mirë dhe u rritëm nga ndeshja në ndeshje. Atmosfera ishte fantastike para tribunave të mbushura plot. Ky ekip më në fund fitoi diçka, me kalimin e kohës po përmirësohemi dhe jemi të lumtur për këtë.”
©ZëriOnline


