Protesta e disa punonjësve të ndërmarrjes së shërbimeve komunale për pagat ka sjellë reagimin e Bashkisë së Durrësit.

Punonjësit pretendojnë se prej muajsh u janë mbajtur nga pagat shuma që variojnë nga 4 mijë deri në mbi 7 mijë lekë, duke kërkuar sqarime për mënyrën e përllogaritjes së pagës.
Në një reagim zyrtar, Bashkia Durrës i mohon pretendimet për mbajtje të padrejtë të pagave. Sipas bashkisë, pagat e punonjësve të pastrimit përllogariten në bazë të akteve ligjore në fuqi dhe përbëhen nga paga bazë, vjetërsia në punë dhe shtesat për kushtet e punës.
Bashkia sqaron se paga mujore mund të ndryshojë nga një muaj në tjetrin, pasi në të përfshihen edhe pagesat për punën gjatë natës, ditëve të pushimit dhe festave zyrtare.
“Punonjësit me të njëjtën pagë bazë dhe të njëjtën vjetërsi mund të kenë përfitime mujore të ndryshme, nëse kanë kryer numër të ndryshëm orësh në këto periudha”, thuhet në reagimin e bashkisë.
Në përfundim, Bashkia Durrës deklaron se punonjësit që kanë ngritur pretendimet janë sqaruar lidhur me mënyrën e përllogaritjes së pagave dhe se ndryshimet mujore nuk lidhen me mbajtje të padrejta, por me organizimin e punës dhe orët e kryera në turne të ndryshme.
©ZëriOnline


