Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Tropojë, ku një punonjës i bashkisë ka humbur jetën dhe tre të tjerë kanë mbetur të plagosur pasi ranë në kontakt me energjinë elektrike.
Njëri prej tyre, 59 vjeçari Muhamet Sylisufaj nuk ka mundur t’u mbijetojë goditjes nga energjia dhe ka humbur jetën, ndërsa tre të tjerët, Albert Dunisha 40 vjec, Ilir Dautaj 47 vjec dhe Afrim Aliaj 21 vjec janë plagosur dhe janë transportuar për të marrë ndihmë mjekësore.
Ende nuk dihet gjendja e tyre shëndetësore.Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit kanë mbërritur shërbimet e emergjencës, ndërsa policia ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes.
Grupet hetimore po punojnë për të dokumentuar mënyrën se si ka ndodhur kontakti me linjën e tensionit të mesëm, si dhe për të përcaktuar nëse janë respektuar rregullat e sigurisë në punë gjatë kryerjes së punimeve.
Autoritetet pritet të japin më shumë informacion në vijim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij aksidenti tragjik vijojnë.
Njoftimi i Policisë
“Më datë 08.09.2026, rreth orës 10:00, kemi marrë njoftim se, në afërsi të fshatit Bujan, në rrugën e Dobravës, 4 punonjës të Bashkisë Tropojë, duke kryer punime për shpërndarjen dhe vendosjen fizike të shtyllave të ndriçimit në këtë rrugë, kanë rënë në kontakt me rrymën elektrike.
Nga veprimet paraprake dyshohet se, gjatë vendosjes së një shtylle në bazament, për shkak të peshës së saj, 4 punonjësit që po e mbanin kanë humbur ekuilibrin dhe shtylla ka prekur telat e rrymës, duke përcjellë energjinë elektrike te punonjësit.
Si pasojë, shtetasi M.S 59 vjec ka ndërruar jetë, ndërsa shtetasit A. D 40 vjec., I. D. 47 vjec dhe A. A. 21 vjec ndodhen në Spitalin e Bajram Currit, për trajtim mjekësor.
Nga veprimet paraprake rezulton se punonjësit po kryenin transportin dhe shpërndarjen e shtyllave, sipas planit të punës, datë 04.09.2026, të Bashkisë Tropojë, Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit.
Grupi hetimor po vijon veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”
©ZëriOnline


