Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Dega Durrës, ka reaguar pas denoncimit të gazetares së Syri TV, Albana Aliaj, për një incident gjatë filmimit të një operacioni policor të zhvilluar ditën e sotme në Shkozet.
Unioni kërkon verifikim me transparencë të rastit, identifikimin e efektivëve të përfshirë dhe sqarimin e ligjshmërisë së veprimeve ndaj gazetares.
Aliaj po ushtronte detyrën e saj për informimin e publikut mbi një operacion me shumë interes për të.
Unioni thekson se gazetarët duhet të ushtrojnë detyrën pa presion, kërcënime apo ndërhyrje të pajustifikuara.
Denoncimin, gazetarja e ka bërë publik fillimisht në rrjetet sociale, ku shprehet se efektivë të armatosur dhe me kapuça i rrethuan makinën, i morën telefonin dhe e kërcënuan me pranga. Ajo thotë gjithashtu se pamjet që kishte filmuar u fshinë nga telefoni.
“10 vite gazetari. Sot, për herë të parë, pata frikë. Jo nga ajo që po filmoja, por nga ata që duhej të garantonin sigurinë”, shkruan Aliaj.
Ajo shton: “Telefonin e dorëzova. Frikën e përjetova. Por të vërtetën nuk do ta dorëzoj”, ndërsa paralajmëron se do të kërkojë përgjegjësi dhe hetim për ngjarjen.
“Uniforma nuk është mbi ligjin. Kamera ime nuk është krim. Dhe gazetaria nuk vihet në pranga”, përfundon gazetarja.
UGSH, dega Durrës kërkon që rasti të marrë një sqarim institucional dhe, nëse konstatohen shkelje, të ketë përgjegjësi përkatëse.
©ZëriOnline


