49-vjeçari i jep fund jetës në burgun e Reçit

Date:

Share post:

Një i burgosur është gjetur i pajetë në ambientet e burgut të Reçit. Viktima është identifikuar si Agron Llapushi, 49 vjeç, ndërsa nga të dhënat paraprake dyshohet se i ka dhënë fund jetës.

Llapushi, me origjinë nga fshati Holtas dhe banues në Çekin të Gramshit, vuante një dënim prej 24 vitesh e 4 muajsh burg për vrasjen e bashkëshortes së tij, Alketa Llapushi, ngjarje e ndodhur në vitin 2015.

Sipas informacioneve të bëra publike, gjatë viteve të qëndrimit në burg ai kishte pasur shumë pak kontakte me familjarët. Raportohet për një takim në vitin 2023 dhe një tjetër në vitin 2025.

Ngjarja për të cilën Llapushi u dënua ndodhi në prill të vitit 2015. Viktimë mbeti bashkëshortja e tij, nëna e dy fëmijëve të çiftit. Pas krimit, Llapushi u dorëzua në polici dhe pranoi autorësinë.

Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi asokohe dënimin e tij me burgim të përjetshëm, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e dënoi përfundimisht me 24 vite e 4 muaj burg për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”. Vendimi mori formë të prerë më 10 dhjetor të vitit 2015, ndërsa Llapushi ishte arrestuar më 1 prill të po atij viti.

Çfarë deklaroi pas krimit?

Në dëshminë e dhënë pas ngjarjes, Agron Llapushi deklaroi se familja përballej me vështirësi ekonomike dhe se mes tij dhe bashkëshortes kishte lindur një konflikt ditën e krimit.

“Unë kam 4 ditë që kam ardhur nga Greqia dhe në fshatin ku unë banoj në Çekin jam në kushte të vështira ekonomike, ku unë jetoj bashkë me nusen time dhe dy fëmijët në një dhomë të vetme”, deklaronte ai në atë kohë.

Ai tregoi se debati me bashkëshorten kishte ndodhur teksa të dy ndodheshin duke punuar në një tokë larg banesës.

“Sot unë kam shkuar në mëngjes për të punuar në një tokë larg shtëpisë në vendin e quajtur ‘Mhalla e Lepurit’ dhe atje në punë e sipër jam konfliktuar me Alketën”, deklaronte Llapushi.

Pas ngjarjes, sipas dëshmisë së tij, Llapushi kishte telefonuar vëllain dhe më pas ishte paraqitur në polici.

“Marrëdhëniet në përgjithësi me Alketën i kam pasur të mira, nuk kemi pasur probleme. As vetë nuk e di si ndodhi”, kishte deklaruar ai.

Gjatë hetimit të vitit 2015, prokuroria urdhëroi kryerjen e një ekspertize psikiatriko-ligjore për të përcaktuar gjendjen mendore të Llapushit në momentin e krimit.

Në aktin e ekspertimit psikiatriko-ligjor nr. 194, datë 16 qershor 2015, ekspertët arritën në përfundimin se ai nuk vuante nga ndonjë sëmundje apo çrregullim psikik ose neuropsikik që ta bënte të papërgjegjshëm para ligjit.

Sipas ekspertizës së asaj kohe, simptomat për të cilat Llapushi pretendonte se ishte trajtuar nuk plotësonin kriteret diagnostikuese për një sëmundje madhore mendore.

Ndërsa rrethanat e vdekjes së 49-vjeçarit në burgun e Reçit pritet të sqarohen nga autoritetet përkatëse.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Përjetësoi eksodin e shqiptarëve me anijen “Vlora”, ndahet nga jeta fotoreporteri italian

Imazhet e mijëra shqiptarëve të mbërritur në Bari me anijen “Vlora”, më 8 gusht 1991, u kthyen në...

E zë korrenti teksa punonte në një varkë te Pista e Kokëve, humb jetën 28-vjeçari filipinez

Një 28-vjeçar filipinez ka humbur jetën tragjikisht në Durrës, pasi ka rënë në kontakt me energjinë elektrike teksa...

Ambasadori amerikan nisi zyrtarisht detyrën, takimi i parë me Presidentin Begaj: SHBA-të, partner i pazëvendësueshëm 

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, nisi sot zyrtarisht misionin e...

Operacioni Muri i Lartë dhe skaneri i SPAK mbi aleancat e reja të botës së krimit

Operacioni masiv i ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i pagëzuar me kodin...