Përjetësoi eksodin e shqiptarëve me anijen “Vlora”, ndahet nga jeta fotoreporteri italian

Date:

Share post:

Imazhet e mijëra shqiptarëve të mbërritur në Bari me anijen “Vlora”, më 8 gusht 1991, u kthyen në dëshmi të një prej momenteve më të forta të emigracionit shqiptar drejt Italisë. Pas aparatit që fiksoi ato pamje ishte edhe fotoreporteri Luca Turi, i cili është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare.

Për rreth 50 vjet, Turi dokumentoi përmes fotografisë jetën, transformimet dhe ngjarjet kryesore të Barit dhe rajonit të Pulias, duke krijuar një arkiv të rëndësishëm të historisë së afërt të territorit.

Ai punoi gjithashtu si fotograf për agjencinë italiane të lajmeve ANSA, ndërsa emri i tij mbeti i lidhur me disa prej ngjarjeve që lanë gjurmë në historinë e qytetit.

Mes tyre ishte edhe 8 gushti i vitit 1991. Atë ditë, anija “Vlora” mbërriti në portin e Barit me rreth 20 mijë shqiptarë në bord. Pamjet e turmës së njerëzve në anije dhe më pas në qytetin italian u shndërruan në një prej simboleve të eksodit shqiptar të fillimit të viteve ’90.

Pikërisht këtë pjesë të trashëgimisë së Luca Turit ka veçuar edhe kryetari i Bashkisë së Barit, Vito Leccese, në mesazhin e tij të lamtumirës.

“Fotografitë e tij mbeten të skalitura në zemrat e të gjithëve ne. Dëshmi për këtë janë imazhet e paharrueshme të mbërritjes së anijes ‘Vlora’ në vitin 1991, të cilat përjetësuan një tragjedi të madhe njerëzore dhe e bënë Barin një qytet të hapur ndaj Mesdheut”, u shpreh Leccese.

Kryebashkiaku e cilësoi Turin një dëshmitar autentik të historisë së Barit dhe Pulias, duke vlerësuar mënyrën se si ai përcolli përmes objektivit ngjarjet që ndryshuan qytetin.

“Me ndarjen nga jeta të Luca Turit, komuniteti ynë humbet një fotograf të madh dhe një dëshmitar autentik të historisë së fundit të Barit dhe Pulias. Luca tregoi gjithmonë një aftësi të jashtëzakonshme për të kuptuar dhe përcjellë ngjarjet, duke ia dorëzuar kujtesës kolektive me forcën dhe qartësinë e vështrimit të tij”, tha ai.

Sipas Lecceset, puna e fotoreporterit nuk dokumentoi vetëm ngjarjet e mëdha, por edhe ndryshimet, dramat dhe shpresat që shoqëruan Barin dhe Pulian përgjatë dekadave.

“Vështrimi i tij do të mbetet përgjithmonë pjesë e identitetit dhe trashëgimisë qytetare të qytetit tonë. Mirupafshim Luca, ti ishe imazhi përtej fjalës, syri i Barit drejt botës dhe kujtesa e një komuniteti që sot të përcjell me mirënjohje”, përfundoi kryebashkiaku.

Ceremonia e varrimit të Luca Turit do të mbahet të hënën në kishën San Rocco në Bari.

Përjetësoi eksodin e shqiptarëve me anijen “Vlora”,
spot_img

Artikuj të lidhur

49-vjeçari i jep fund jetës në burgun e Reçit

Një i burgosur është gjetur i pajetë në ambientet e burgut të Reçit. Viktima është identifikuar si Agron...

E zë korrenti teksa punonte në një varkë te Pista e Kokëve, humb jetën 28-vjeçari filipinez

Një 28-vjeçar filipinez ka humbur jetën tragjikisht në Durrës, pasi ka rënë në kontakt me energjinë elektrike teksa...

Ambasadori amerikan nisi zyrtarisht detyrën, takimi i parë me Presidentin Begaj: SHBA-të, partner i pazëvendësueshëm 

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, nisi sot zyrtarisht misionin e...

Operacioni Muri i Lartë dhe skaneri i SPAK mbi aleancat e reja të botës së krimit

Operacioni masiv i ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i pagëzuar me kodin...