Një automjet ka shpërthyer teksa ishte në lëvizje përpara godinës së Prokurorisë së Gjirokastrës.
Menjëherë pas incidentit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe një ambulancë, ndërsa efektivët kanë rrethuar zonën ku ndodhi shpërthimi.
Mjeti është në pronësi të shtetasit Beqir Devolli, i cili ka mbetur i dëmtuar nga shpërthimi, së bashku me shtetasin Rigers Mela. Ata ndodhen në spital nënë kujdesin e mjekëve.
Rreth orës 22:00, në bulevardin “18 Shtatori”, dyshohet se ka shpërthyer automjeti tip “Benz”, në pronësi të shtetasit B. D., i cili ishte në lëvizje.
Si pasojë e shpërthimit, kanë mbetur të dëmtuar shtetasit B. D. dhe R. M., të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit dhe përcaktimin e saktë të shkakut të shpërthimit”, njofton policia.
Mësohet se kanë nisur hetimet për të parë nëse shpërthimi ka ardhur nga ndonjë defekt, apo kemi të bëjmë me lëndë plasëse. Sipas burimeve, dy vite më parë Rigers Melës i është djegur një automjet Range Rover.



