Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në Kosovë, në fshatin Pogragjë të Gjilanit, ku një 29-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Sipas mediave lokale, dyshohet se i riu është qëlluar për vdekje nga babai i tij, megjithëse kjo rrethanë nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nga Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, ka konfirmuar se rreth orës 19:30 autoritetet kanë marrë informacion për të shtëna me armë zjarri. Pas mbërritjes në vendngjarje, ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e 29-vjeçarit, të lindur në vitin 1997.
“Sipas informatave fillestare dyshohet se si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka humbur jetën një person i gjinisë mashkullore i lindur në vitin 1997. Vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes e ka konstatuar ekipi mjekësor”, ka deklaruar Osmani.
Vrasja në Pogragjë vjen një ditë pas një tjetër ngjarjeje të rëndë në zonën e Gjilanit. Më 10 tetor, në fshatin Livoq i Ulët, dy persona u vranë dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë nga të shtënat me armë zjarri. Ende nuk dihen motivet e vrasjes së 29-vjeçarit, ndërsa hetimet vijojnë.


