Policia e Shtetit ka reaguar pas mesazheve me përmbajtje intimiduese që u janë dërguar disa mësuesve dhe pedagogëve pjesëmarrës në protestë, ku pretendohej se ishin filmuar nga policia dhe se do të përballeshin me akuza.
Në një deklaratë për mediat, Albert Nushi, shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, mohoi që këto mesazhe të jenë dërguar nga institucioni që përfaqëson.
“Sqarojmë se këto mesazhe nuk janë dërguar nga Policia e Shtetit, por nga persona ende të paidentifikuar, me qëllim përhapjen e panikut dhe dëmtimin e besimit të qytetarëve te Policia”, deklaroi Nushi.
Ai theksoi se pjesëmarrja në protesta paqësore është një e drejtë kushtetuese, të cilën Policia e Shtetit ka detyrimin ta respektojë dhe ta garantojë.
Gjithashtu, Nushi mohoi informacionet që qarkullojnë për dorëheqje masive në radhët e policisë, si dhe pretendimet se drejtues të saj kanë urdhëruar përdorimin e dhunës gjatë tubimeve.
“Sigurojmë qytetarët se asnjë drejtues policie nuk ka dhënë urdhra të kundërligjshëm për ushtrimin e dhunës gjatë ditëve të tubimit”, u shpreh ai.
Lidhur me pamjet e publikuara nga Rinasi, Nushi sqaroi se bëhet fjalë për shtetas që transportohen nga Italia drejt qendrës së pritjes së emigrantëve në Gjadër, duke rrëzuar pretendimet se ata po silleshin në Shqipëri për t’u burgosur.
Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj informacioneve që qarkullojnë në rrjetet sociale.
Deklarata e plotë e Albert Nushit
Drejtues Albert Nushi, shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike:
Përshëndetje,
Ditët e fundit, në rrjete sociale po publikohen lajme të rreme që synojnë të dëmtojnë imazhin e Policisë së Shtetit, të cenojnë rendin dhe sigurinë, si dhe të vënë në dyshim respektimin e të drejtës për të protestuar në mënyrë paqësore.
Lidhur me pamjet e publikuara nga Rinasi, ku pretendohet se shtetas të huaj sillen në Shqipëri, për t’u mbajtur në burg, sqarojmë se këto pretendime janë të pavërteta. Bëhet fjalë për shtetas që transportohen nga Italia drejt Gjadrit, në qendrën e pritjes për emigrantët e paligjshëm.
Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, disa mësuesve dhe pedagogëve u janë dërguar mesazhe në emër të Policisë së Shtetit, me përmbajtje intimiduese, ku pretendohet se ata janë filmuar nga Policia gjatë pjesëmarrjes në tubim dhe se do të kontaktohen për t’u komunikuar akuza.
Sqarojmë se këto mesazhe nuk janë dërguar nga Policia e Shtetit, por nga persona ende të paidentifikuar, me qëllim përhapjen e panikut dhe dëmtimin e besimit të qytetarëve te Policia.
Sigurojmë mësuesit dhe pedagogët se e drejta për t’u tubuar paqësisht është një e drejtë kushtetuese dhe se Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor ta respektojë dhe garantojë atë.
Në të gjitha njoftimet dhe daljet publike të përfaqësuesve të Policisë së Shtetit është bërë e qartë se kjo e drejtë respektohet dhe garantohet. Çdo pretendim i kundërt është i pavërtetë dhe dashakeq.
Gjithashtu, sqarojmë opinionin publik se lajmet e publikuara për dorëheqje masive nga radhët e Policisë së Shtetit, janë të pavërteta.
Po ashtu, sigurojmë qytetarët se asnjë drejtues policie nuk ka dhënë urdhra të kundërligjshëm për ushtrimin e dhunës gjatë ditëve të tubimit.
Të nderuar qytetarë,
Policia e Shtetit është në shërbimin tuaj, në zbatim të ligjit, për garantimin e jetës, pronës dhe të drejtave tuaja. Ju bëjmë thirrje të mos bini pre e informacioneve të rreme që synojnë të cenojnë misionin ligjor të Policisë së Shtetit dhe besimin tuaj tek ajo.
©ZëriOnline


