Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me vdekjen e 62-vjeçarit Urim Fiku në Bulqizë, ngjarje e cila fillimisht u raportua si sulm nga një ari, por që tashmë po hetohet si vrasje. Sipas burimeve policore, viktima është gjetur i pajetë në oborrin e banesës së tij, ku kishte mbërritur i vetëm dhe ndërroi jetë pak më vonë. Ndërkohë, djali i 62-vjeçarit vijon të jetë i shoqëruar në ambientet e Policisë, në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Nga ekspertiza mjeko-ligjore, në trupin e viktimës u konstatua një shenjë plumbi në zonën e kraharorit, duke ngritur dyshimet se vdekja mund të ketë ardhur si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit. Hetuesit po verifikojnë nëse viktima është qëlluar me armë zjarri dhe më pas është sulmuar nga kafsha e egër, apo nëse ngjarja ka ndodhur në rrethana të tjera dhe po tentohet fshehja e krimit.
Gjithsesi, nuk ka një pistë konkrete, deklaruar zyrtarisht, për mënyrën si ka ndodhur ngjarja dhe rrethanat që çuan në vdekjen e 62-vjeçarit.


