Katër stinët e vitit, me ndryshimet e tyre në natyrë, lojën e dritës dhe pasurinë e ngjyrave, janë kthyer në një udhëtim artistik në telajo. Piktori Sadik Kasa prezantoi në Durrës ekspozitën personale “Stinët”, me 40 peizazhe që sjellin për publikun bukurinë e natyrës dhe peizazheve shqiptare, mes tyre dhe ndonjë natyrë e qetë.


Ekspozita u çel mbrëmjen e së premtes në Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia”, moderuar nga Oltsen Gripshi, duke shënuar njëkohësisht prezantimin e parë personal të artistit në këtë galeri. Përmes 40 punimeve, Kasa përcjell atmosferën dhe emocionet e stinëve, duke i dhënë rëndësi të veçantë ngjyrës, dritës dhe detajeve të natyrës.


Vetë artisti Kasa u shpreh se e ka jetuar në mënyrë modeste marrëdhënien me pikturën, ndërsa vlerësoi praninë e kolegëve të penelit në këtë ekspozitë të parë personale në Durrës.
Vlerësime për krijimtarinë e tij dha edhe piktori Pashk Përvathi, i cili e cilësoi Kasën një prej emrave kryesorë të peizazhit shqiptar, duke theksuar se ai i jep tonin kësaj gjinie në pikturën shqiptare.
Ekspozita “Stinët” vjen si pjesë e një turi artistik të ndërmarrë nga Kasa në disa qytete shqiptare dhe në hapësirën shqipfolëse. Përmes këtij udhëtimi, artisti sjell para publikut jo vetëm ndryshimin e stinëve, por edhe një panoramë të pasur të natyrës dhe peizazheve që kanë frymëzuar krijimtarinë e tij ndër vite.

I njohur për përkushtimin ndaj peizazhit, Sadik Kasa ka ndërtuar ndër vite një krijimtari të lidhur ngushtë me natyrën dhe motivet shqiptare. I diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve, në degën e pikturës-skenografisë, ai ka ushtruar veprimtarinë e tij si skenograf, pedagog në shkollën artistike “Onufri” në Elbasan dhe drejtues i institucioneve të artit në këtë qytet. Me një aktivitet të gjatë ekspozues brenda dhe jashtë vendit, Kasa është vlerësuar për kontributin e tij në gjininë e peizazhit.
Një ekspozitë që ia vlen të vizitohet. Mos e humbisni!
Zëri Online


