Prokuroria e Elbasanit ka sekuestruar mbi 300 tonë pluhur të përftuar nga aktiviteti i Uzinës së Ferrokromit, në pronësi të kompanisë koncesionare Albchrome. Këto janë mbetjet e grumbulluara nga sistemi i filtrimit të pluhurit, të cilat, sipas një raporti të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, paraqesin rrezik të lartë për mjedisin dhe shëndetin.
Sipas dokumenteve zyrtare të Prokurorisë së Elbasanit, sasia prej rreth 300 tonësh është sekuestruar si provë materiale, pasi konsiderohet e nevojshme për dokumentimin dhe vërtetimin e fakteve që janë objekt i hetimit penal.
Për shkak të natyrës së mbetjeve, organi i akuzës ka vendosur që ato të qëndrojnë në ruajtje pranë kompanisë Albchrome sh.p.k., e cila ka detyrimin t’i administrojë dhe t’i paraqesë sa herë që kërkohen nga organi procedues.
Rasti u bë publik më 28 maj, kur Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit pezulloi aktivitetin e Albchrome, pasi konstatoi depozitimin e 318 tonëve mbetje të rrezikshme në mungesë të kushteve të sigurisë.
Nga kontrollet rezultoi se kompania nuk dispononte asnjë kontratë për transferimin, largimin, asgjësimin apo përpunimin e kësaj sasie mbetjesh.
Ndërkohë, pak ditë më parë, edhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit i cilësoi këto mbetje si shumë të rrezikshme, duke konfirmuar problematikën e evidentuar në aktivitetin e uzinës.


