Tragjedia/ Humbi jetën turistja e huaj, në një shteg të rrezikshëm të Filikurit

Date:

Share post:

Një ngjarje tragjike ndodhi sot në plazhin e izoluar të Filikurit, në zonën e Potamit në Himarë, ku një shtetase e huaj ka humbur jetën si pasojë e rrëzimit nga një terren shkëmbor i thepisur. Viktima është një 23-vjeçare me shtetësi holandeze, e cila ndodhej në Shqipëri për pushime së bashku me miqtë e saj.

Grupi i turistëve kishte zgjedhur të zbriste në plazhin e vështirë të aksesueshëm të Filikurit, jo përmes rrugës detare apo asaj këmbësore më të sigurt, por duke eksploruar një shteg të rrezikshëm shkëmbor, të frekuentuar kryesisht nga adhurues të sporteve ekstreme si alpinizmi dhe hiking.

Tragjedia ndodhi kur 23-vjeçarja rrëshqiti aksidentalisht nga një lartësi prej rreth 30 metrash, në një moment kur shoku i saj po përpiqej ta ndihmonte të zbresë. Pavarësisht përpjekjeve për ta mbajtur, ajo i ka shpëtuar nga duart dhe ka rënë në humnerë.

Menjëherë pas ngjarjes, janë njoftuar shërbimet e emergjencës. Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë forcat e Policisë së Himarës, policia kufitare, zjarrfikësit dhe një ambulancë, të cilët kanë mundur të nxjerrin trupin e pajetë nga zona shkëmbore. Fatkeqësisht, e reja nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të rënda të marra nga rënia.

Gjithashtu, një 18-vjeçare tjetër, pjesë e grupit, ka mbetur e plagosur si pasojë e goditjes nga gurët gjatë incidentit. Ajo u dërgua me helikopter në spitalin e Traumës, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Turistët e tjerë që ndodheshin në zonë u ndihmuan nga autoritetet për t’u larguar në mënyrë të sigurt. Ndërkohë, Policia ka nisur hetimet për të dokumentuar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar nëse janë ndjekur rregullat e sigurisë në këtë lloj eksplorimi.

Kjo ngjarje e rëndë risjell në vëmendje rrezikshmërinë e aventurave në terrene të papërshtatshme dhe nënvizon nevojën për kujdes maksimal dhe informim të plotë nga të gjithë turistët që zgjedhin të eksplorojnë natyrën shqiptare jashtë rrugëve të sigurta. Autoritetet bëjnë apel për respektim të udhëzimeve të sigurisë dhe shmangien e shtigjeve të rrezikshme pa përgatitje dhe asistencë profesionale.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Erion Veliaj transferohet në burgun e Fierit, 2 ditë pasi mbështeti protestat studentore në Serbi

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar në paraburgimin e Fierit. Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që...

Protesta e djeshme para Ministrisë së Arsimit, arrestohet 27-vjeçari dhe 49-vjeçarja

Dy protestues janë arrestuar nga Policia e Tiranës lidhur me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme përpara Ministrisë...

Fushë-Prezë/35-vjeçari me makinë përplas për vdekje këmbësorin 58-vjeçar

Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Fushë-Prezë, Tiranë,...

Vrasja e biznesmenit në Sarandë, arrestohen në Greqi Lulzim Tabaku dhe Idriz Çelo

Dy persona të shpallur në kërkim për vrasjen e biznesmenit 66-vjeçar Rexhep Ismaili, ngjarje e ndodhur më 7...