Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasuri me vlerë 50 milionë euro të Kristian Boçit, i dënuar për trafik droge në Belgjikë dhe gjashtë personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në skemën e pastrimit të parave në Shqipëri. Në këtë aktivitet dyshohet se kanë qenë të përfshira edhe bashkëshortet e tyre.
Detajet e pasurive të sekuestruara:
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë 14 njësi tregtare, llogari bankare, dyqane, garazhe, apartamente dhe një automjet me vlerë 117 mijë euro në pronësi të K. Boçit. Prokuroria e Tiranës ka zbuluar se një shtetas tjetër, i dënuar për trafik droge në Belgjikë, ka themeluar një sërë shoqërish tregtare për të maskuar aktivitetet e tij të paligjshme.
Raportohet se ky shtetas, përmes krijimit të kompanive, disa prej tyre nën administrimin e Kristian Boçit dhe shtetasit me iniciale V. A., ka ngritur një skemë të sofistikuar të pastrimit të parave.
Prokuroria e Tiranës:
“Nga hetimet është konstatuar kryerja e disa veprimeve fiktive si p.sh.: shitje – blerje automjeti, ku në të njëjtën ditë është kryer anullimi i veprimit juridik, duke e shitur më tej mjetin me çmim shumë të lartë; marrja e kredive nga banka të nivelit të dytë në nivele të pajustifikuara, ku vetë banka del garant i shumave të dhëna,” thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Tiranës.
Gjithashtu, janë krijuar shoqëri fiktive, të cilat, pavarësisht se nuk kanë kryer aktivitet financiar, kanë pasur rritje të dukshme të kapitalit themeltar. Janë dhënë hua në shuma të konsiderueshme, por nuk është justifikuar burimi i ligjshëm i krijimit të tyre. Janë krijuar shoqëri me kuota të përbashkëta midis K. Boçit dhe një shtetasi tjetër, duke u përcaktuar vlera të mëdha të kuotave, por të pashlyera nga ortakët respektivë. Gjithashtu, janë blerë hece me vlera të konsiderueshme.
Profili i K. Boçit dhe bashkëshortes së tij
Drilona Boçi, bashkëshortja e Kristian Boçit, zotëron një nga atelietë më të njohura të veshjeve në Tiranë. Ajo ka marrë pjesë në konkurse bukurie dhe është e diplomuar për drejtësi. Çifti ka dy fëmijë. Krisjan Boçi njihet si boksier dhe influencer në rrjetet sociale, ku të dy reklamojnë një jetë luksoze.
Pasuritë e sekuestruara të Krisjan Boçit:
– Njësi tregtare me çmim blerjeje 9,300,000 lekë
– Njësi tregtare me çmim blerjeje 600,000 euro
– Dyqan me sipërfaqe 222 m²
– Dyqan me sipërfaqe 220.8 m² dhe verandë me sipërfaqe 285 m²
– Apartament me sipërfaqe 201.8 m²
– Garazh me sipërfaqe 18.9 m²
– Garazhe me vlerë totale 25,000 euro, ose 3,425,000 lekë secili
– Automjet tip “Mercedes Benz” në shumën 117,000 euro
©️zërionline
*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.


