Në pikën e kalimit kufitar Port, Durrës, janë zbuluar dy raste të mosdeklarimit të parave të dyshuara me burim kriminal dhe kontrabandimit të mallrave që paguajnë akcizë. Në këtë pikë kufitare, në hyrje të Shqipërisë, janë sekuestruar 111,000 paund dhe mallrat kontrabandë. Dy shtetasit që transportonin paratë dhe mallrat, me automjete me targa britanike, janë proceduar penalisht.

Në njoftimin e saj, Policia e Shtetit thekson se në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës së Veriut, për shkëmbimin e informacionit lidhur me emigracionin, si dhe në zbatim të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, është ngritur Task-Forca e Përbashkët për Migracionin. Policia Kufitare, autoritetet doganore, specialistët për Hetimin e Krimeve dhe ekspertët e kompanisë së skanimit S2, të koordinuar me përfaqësuesit e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, kanë finalizuar operacionin policor mbarëkombëtar të koduar “Portat”, me objektiv goditjen e veprimtarive kriminale në të gjitha pikat e kalimit kufitar.
Gjatë operacionit, bazuar në analizën e riskut dhe shkëmbimin e informacionit ndërmjet dy partnerëve, në PKK Port, Durrës, u kaluan për kontrolle në vijë të dytë një mjet bizarke me targa të Mbretërisë së Bashkuar, i drejtuar nga shtetasi N.V., 47 vjeç, banues në Klos. Nga kontrollet në këtë mjet dhe në tetë automjetet që transportoheshin me të, u gjetën në total 111,000 paund të padeklaruara dhe të dyshuara me burim kriminal. Në përfundim të veprimeve procedurale, nisi procedimi në gjendje të lirë për 47-vjeçarin dhe u sekuestrua shuma e paundeve.
Ndërkaq në një mjet tip “Audi”, sërish me targa të Mbretërisë së Bashkuar, i drejtuar nga një shtetas shqiptar me qëndrim në Angli, nga kontrollet u gjetën mallra që paguajnë akcizë, me vlerë rreth 900 euro. Në përfundim të veprimeve procedurale, nisi procedimi në gjendje të lirë për drejtuesin e mjetit dhe u sekuestruan mallrat.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale” dhe “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”.

Policia e Shtetit sqaron se ka marrë të gjitha masat për të parandaluar dhe goditur çdo veprimtari të kundërligjshme në të gjitha pikat e kalimit kufitar, për të siguruar sigurinë publike dhe atë të qytetarëve të dy vendeve tona.
©️zërionline
*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.


