Pas miratimit në Këshill Bashkiak të vendimit për parkimin me pagesë në rrugët dhe sheshet kryesore të Durrësit, nga kjo e shtunë nis dhe kufizimi i kalimit të automjeteve në Rrugën Tregtare dhe ndalimi i parkimit në njërin krah të rrugës “Taulantia” gjatë orëve të mbrëmjes.

Në kuadër të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik Bashkia e Durrësit ka vendosur që bulevardi “Epidamn” të kthehet në një hapësirë pedonale nga 29 qershori deri në 15 shtator, prej orës 19:00 – 23:00, me qëllim që të lehtësohet lëvizja e qytetarëve, por edhe e vizitorëve të shumtë që vijnë në qytetin e Durrësit për të kaluar pushimet.

“Duke patur parasysh që vitin e kaluar kjo nisëm u mirëprit nga qytetarët dhe bizneset këtë vit është menduar që të zgjatet më shumë afati kohor i ndalimit të mjeteve për arsye që të bëhet e mundur reduktimi më i madh i trafikut dhe krijimi i hapësirave për këmbësorët. Për këtë qëllim bashkia ka njoftuar në rrjetet e saj sociale se:
Ndalohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve në bulevardin Epidamn, që përkon me segmentin rrugor nga Prefektura deri tek Torra Veneciane, nga data 29.06.2024 deri më datë 15.09.2024, prej orës 19:00 – 23:00.
Për ti ardhur në ndihmë fluksit të automjeteve, do të bëhen ndryshimet e akseve rrugore, sipas planvendosjes, si më poshtë:
-Rruga “Karl Topia” dhe rruga “Gjergj Komnino”, me një sens lëvizje (ngjitja drejt Vilës së Zogut)
-Rruga “Telha Çela” dhe rruga “11 Dëshmorët e Stanit”, me një sens lëvizje (zbritja në drejtim të Muzeut të Dëshmorëve)
Ndalohet parkimi i automjeteve përgjatë orarit 19:00-23:00 nga data 29.06.2024 deri më datë 15.09.2024 si më poshtë:
a)Rruga “Anastas Durrsaku” (Segmenti nga Kisha Ortodokse – Shkolla Gjergj Kastrioti), ndalim parkimi i automjeteve
b)Rruga “Hysen Matlija” dhe Rruga “Mbretëresha Teuta” (Shkolla Italiane), ndalim parkimi i automjeteve nga një krah lëvizje
c)Rruga “Karl Topia” dhe rruga “Gjergj Komnino”, ndalim parkimi i automjeteve nga një krah lëvizje.
Ndalohet parkimi i automjeteve përgjatë gjithë ditës Rruga “Taulantia” në njërin krah të rrugës nga kjo e shtunë, 29 qershor deri më datë 15 shtator.”
Në këto segmente sinjalistika horizontale e parkimit është fshirë me të zezë, për të orientuar qytetarët ndalimin e parkimit në atë krah të rrugës.
Në përpjekje për të bindur qytetarët për zbatimin e këtyre ndalesave, Bashkia e Durrësit i fton të gjithë qytetarët që të lënë makinat dhe të shijojnë shëtitjet në këmbë në bulevardin kryesor të Durrësit në këto mbrëmje verore.
©️zërionline
*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.


