Zheji, Një mendje e qendisur bukur

Date:

Share post:

Monika Stafa

Herën e fundit bëmë kështu, pa ngurrim një bisedë me disa pika të shtruara para se të nisja xhirimet për dokumentarin e radhës që po përgatisja bashkë me Belën (Belina Budini) për një mik të tij, për të cilin në fund u habita që foli pa zili apo ndonjë merak të hidhur.

Ishte një mik i hershëm, që qartësisht vura re se e çmonte. Të paktën ashtu më dukej, pa zë. Pa ndonjë tambur apo tabore.

Dhe ashtu shpejt e shpejt… përfitova t’i merrja ca mendime si gazetar për një podcast që e kishte në plan ta realizonte; si mendimtar për çfarë po ndodhte rreth nesh, por edhe si prind i një djali dhe një vajze që përpiqej me intuitë e butësi t’i hynte në lëkurë pasioneve të tyre.

Natyrisht edhe si regjisor, që me sqimën e tij e lodhi operatorin të gjente këndin e duhur artistik për vete.

“A jam veshur mirë?” – më pyeti me merak sa nuk u besoja veshëve… “Se ju të Top-it e keni zanat këtë punë. Kush merret me ju!! Po nuk dola mirë tek ju, më mirë rri pa punë”, dhe qeshi.

Në fund më tha: “Paskë ardhur me agjendë.” S’di as vetë si t’u përgjigjja. “Unë nuk flas shumë… kalojmë tek pyetjet tani.”

“Cilat janë ato?” – bëri sikur nuk i mbante mend, ndërsa unë ndërkohë prej ditësh ia kisha nisur.

Ishte i vëmendshëm. Shumë i vëmendshëm dhe i kujdesshëm për çdo fjali që do të shprehte për mikun e tij të hershëm.

“Pse je kaq në merak?”, e pyeta. “Ti je njeri i lirë. Ai po ashtu. Nuk besoj se thotë gjë nëse shton diçka më shumë për jetën e tij artistike dhe si Kryeministër.”

“Jam i përgjegjshëm, Monika, dhe çdokush po të ishte, do të kishte të njëjtën përgjegjësi.”

Aty kuptova se ishte krejt një Zheji tjetër nga jeta prej bohemi që hiqej.

Më poshtë biseda dialog për mikun e tij.

EXCLUSIVE

Monika: Si e karakterizon Ramën në figurën artistike të tij?

Artur Zheji: Ne duhet të kemi parasysh që Rama ka qenë dhe mbetet një gazetar në tentativë, e para. E dyta, shkruan mirë, nuk shkruan gjithmonë këndshëm, porse është i hidhur.
Dhe e ndjen veten shpeshherë në konkurrencë me shkrimet e të tjerëve. Çfarë dua të them me këtë? Dua të them se nëse një gjë nuk i pëlqen në përmbajtje, e sulmon në stil.
Pra, ka ndërtuar politikanin polemist me gazetarinë dhe me mediat.

Zakonisht kjo është bërë gjithmonë e më tepër një trend i politikanëve të këtyre gjeneratave të fundit, të cilët nuk rrinë pasivë ndaj medias, por janë aktivë dhe madje luftarakë me gazetarët. Kjo gjë i ka dhënë sukses.

Jo çdo lloj artisti mund ta bëjë këtë që bën Rama, piktori po. Pse e them këtë? Sepse piktorët nuk e analizojnë mendimin pa e parë atë. Duket absurde kjo që thashë, të shohësh mendimin, por ata kanë aftësinë që ta tjetërsojnë mendimin në telajo.
Pra, shohin tablon e asaj analize që ne bëjmë me fjalë. Dhe duke parë të tillë, ata e amplifikojnë gjithë efektet dhe defektet e tablosë. Papritur njerëzit e tjerë, që nuk e kanë optikën e piktorit, ndihen të befasuar kur ai u del “në pusi” ose “në shteg”.

Një situatë politike ai e zgjidh si një tablo: në radhë të parë merr linjat kryesore të dinamikës së kuadrit, dhe pastaj merret me filigramën dhe detajet. Tek detajet fiton gjithmonë betejën.

Monika: Si mund të ma sjellësh në përfytyrim? Çfarë artisti është ai?

Artur Zheji: Unë e njoh prej shumë vitesh, në marrëdhënie private dhe si politikan. Është një njeri që e njeh mirë artin e të dëgjuarit dhe artin e asimilimit të vlerave përreth.
Kur ishte i ri, rrinte gjithmonë me njerëz të rëndësishëm, me piktorë, me njerëz alternativë, me individë që jo kushdo rrinte dot. Dhe vazhdimisht i merrte prej tyre gjërat më specifike.
Pra, për të gatuar atë “supën” e vet të ekzistencës, të personalitetit të tij, ka marrë shumë enzima, shumë përbërës, dhe ka nxjerrë një gjë të vetën, një shije të veçantë.

Them që ka kuptuar sidomos qëndrimin e parisë, edhe jashtë vendit, se komunikimi është shumë i rëndësishëm. Sepse të ekzistosh do të thotë të perceptohesh, nuk do të thotë thjesht të jesh.
Ka njerëz që kanë vlera të mëdha, por nuk kanë aftësi të perceptohen nga shumica, dhe mbeten sikur nuk ekzistojnë.

Monika: Çfarë është kjo marrëdhënie që ka ai me mediat?

Artur Zheji: Ai është algoritëm. Në momentin që shtyp këtë tastierë impostimi, e ke të detyrueshme të dalësh gjithandej.
Rama, në bërthamën e tij, është shumë i ndrojtur. Por ka pasur mundësinë të ushtrohet, të bëjë palestrën e komunikimit. E ka bërë me vullnet, jo me natyrë.

Monika: Çfarë do të thotë kjo?

Artur Zheji: Të ekzistosh nuk do të thotë thjesht të jesh. Do të thotë të lexohesh, të shihesh, të shijohesh, madje edhe të urrehesh.
Por në momentin që harrohesh, është më mirë të të urrejnë se të harrojnë. Në këtë kohë ku jemi sot, interaktiviteti i publikut me personazhet politikë është jeta e tyre. Është njësoj si një bimë që nuk vaditet. Njeriu politik i kohëve moderne “vaditet” vetëm kur të tjerët flasin për të, mirë apo keq.

Monika: I kaloi kufijtë e një politikani brenda vendit. Ka shkuar deri në planin ndërkombëtar… askush nuk kishte arritur deri më sot në këto parametra.

Artur Zheji: Këtë le ta thonë dashamirësit e tij të mëdhenj, por unë nuk bëj pjesë ndër ta.
Mendoj që ai ka kuptuar, siç kuptojnë politikanët inteligjentë, që politika e brendshme në një vend shumë të vogël si Shqipëria është, më së shumti, politikë e jashtme.
Historia na ka treguar që shumë liderë janë shitur apo janë shtirur. Duke filluar nga Hoxha apo Ahmet Zogu, nuk kanë qenë prodhim i lagjes, as i fshatit, nuk kanë qenë një “domate vendi”, por kryesisht import influencash.
Rama ka kuptuar se, për të qenë jetëgjatë në pushtet, duhet të dish të ndërtosh një raport influencash me aktorët më të mëdhenj gjeopolitikë të Perëndimit.

Monika: Mos e ndihmoi koha? Apo kushtet tona në raport me gjeopolitikën?

Artur Zheji: Shqipëria është bërë atraktive, kjo është tjetër gjë.
Të shndërrosh një vend ku therrej mishi në rrugë dhe ku karrocat bllokonin trafikun, në një vend modern, ky është një zhvillim. Sepse edhe shqiptarët janë popull ambicioz, të gjithë bashkë.
Dhe Rama ka ditur ta joshi këtë ambicie, sidomos në nivele “imperatoriale”. Biznesmenë që thonë: “Unë do të bëj kullën më të madhe në Ballkan”, “Unë do të bëj gjënë më luksoze.”
Është një sërfist që ka lundruar mbi kreshtën e ambicies së tyre.

Monika: A duhet të influencojë portreti i tij kaq shumështresor tek arti apo kultura?

Artur Zheji: Nuk besoj se është kështu. Mendoj që është ekonomia e tregut.
Ne akoma jetojmë në kapitalizëm primitiv dhe sigurisht ata që ngarkohen për të drejtuar arsimin apo kulturën nuk kanë ndonjë vepër që t’i justifikojë aty. Janë shumë politikë.
Nëse Rama do të dinte të ndryshonte regjistrat nga ministra politikë në profesionistë, atëherë do të ndodhte ky ndryshim. Por nuk ka ndodhur.

Monika: Pse provokohet aq shpejt nga gazetarët?

Artur Zheji: Më përpara provokohej sepse ishte më i çuditshmi, në veshje, në batuta.
Tani provokohet sepse është më jetëgjati. Dhe ka një cilësi tjetër: merr përsipër të bëjë avokatinë e shumë gjërave që një Kryeministër nuk duhet ta bëjë. Por ai e bën, dhe gjatë kësaj avokatie, përplaset.
Prandaj ka pushtet absolut tek ministrat e vet, sepse del e u bën atyre mbrojtje ekselente, ndërsa ata mbrapa kurrizit bëjnë qejf. Ai bën betejën e madhe sepse është i dashuruar me protagonizmin e vet.

Monika: E kam shumë merak këtë influencën e tij, si të Ahmet Zogut dikur… Ç’është kjo karizmë? Nga i buron?

Artur Zheji: Nuk po flas për aleatë si SHBA dhe BE, ato janë me detyrim përcaktim. Shqipëria është e përshkruar në perëndim, nuk shmanget ky aks.
Por të bësh miq personalë është tjetër gjë. Dy miqtë personalë të tij janë George Soros dhe Tony Blair.
George Soros, ndryshe nga keqkuptimi që qarkullon në Shqipëri, është një nga njerëzit më influentë në SHBA. Dhe Tony Blair është një këshilltar që çdo vend do ta kishte lakmi.
Në sinergji me njëri-tjetrin, ata mund të përgatisin çdo lloj agjende dhe të hapin çdo derë, të paarritshme për të zakonshmit.
Rama ka ditur ta përdorë këtë në interes publik, jo vetëm në politikën e brendshme. Por duke lidhur fatin e tij me fatin e Shqipërisë, ai ka përfituar një avantazh që të tjerët nuk e kapin dot.

Monika: Si ka mundur të influencojë tek këta të dy?

Artur Zheji: Ky është sekreti. Çdo gjë që do thoja unë do të ishte hamendësim. Nuk jam parashikues.
Konspiracionistët do të thonin që është një lidhje. Por sido që të jetë, këta janë njerëz kaq të paarritshëm, saqë kur ndërtojnë një partneritet me ty, nuk ka më shumë se kaq.

spot_img

Artikuj të lidhur

Fushë-Prezë/35-vjeçari me makinë përplas për vdekje këmbësorin 58-vjeçar

Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Fushë-Prezë, Tiranë,...

Vrasja e biznesmenit në Sarandë, arrestohen në Greqi Lulzim Tabaku dhe Idriz Çelo

Dy persona të shpallur në kërkim për vrasjen e biznesmenit 66-vjeçar Rexhep Ismaili, ngjarje e ndodhur më 7...

Të shtëna me armë zjarri në Tiranë, plagoset 22-vjeçari; shpallet në kërkim autori

Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë natës në Tiranë, ku një i ri ka mbetur i plagosur...

Bizneset kundër Paketës Fiskale 2027 të qeverisë: “Goditen investimet dhe punësimi”

Rritja e tatimit mbi fitimin në 17%, e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, rritja e TVSH-së...