Dosja e ish-kreut të IMT refuzohet nga SPAK, një akuzë më pak. Halili: Bashkia ishte në dijeni të resortit

Date:

Share post:

Çështja e ish-drejtuesit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Durrës, Ardian Halili, po merr përmasa të veçanta si në aspektin ligjor, ashtu edhe në atë publik. Në një kohë kur emri i tij lidhet me shembjen spektakolare të kompleksit turistik luksoz “Saint Michelle Residence” në Kepin e Rodonit, një ndërtim pa leje në një zonë të mbrojtur bregdetare, zhvillimet në hetim e gjykim kanë sjellë të tjera pikëpyetje.

Fillimisht, materialet e mbledhura nga policia e Durrësit u deklarua se iu përcollën SPAK-ut, si institucion kompetent për çështjet e korrupsionit në nivele të larta. Por Prokuroria e Posaçme nuk e pranoi dosjen, duke ia lënë Prokurorisë së Durrësit hetimin e mëtejshëm. Ky refuzim i SPAK-ut ngre një dilemë të fortë publike: a kemi të bëjmë me një çështje që nuk i plotëson kriteret për t’u trajtuar nga organi antikorrupsion, apo kemi mungesë provash të mjaftueshme për të mbështetur dyshimet e para?

Në seancën e së shtunës për caktimin e masëssë sigurisë, prokurorja e çështjes, Matilda Fetahu, formuloi vetëm dy akuza ndaj Halilit “ndërtim i paligjshëm” dhe “shpërdorim detyre”, duke hequr dorë nga akuza e tretë e ngritur nga policia për “korrupsion të funksionarëve publikë”. Ky hap tregon një përqendrim të hetimit tek aspektet administrative dhe ligjore të ndërtimit, ndërsa dimensioni i korrupsionit, të paktën për momentin, duket se ka mbetur në hije.

Seanca e drejtuar nga gjyqtari Paulin Çera solli në skenë dhe mbrojtjen e Halilit nga bashkëshortja e tij, Rabiana Halili, ish-prokurore, tashmë avokate. Ajo u shfaq emocionale teksa kërkoi të bindte gjykatën se bashkëshorti i saj nuk kishte shpërdoruar detyrën dhe kërkoi një masë më të butë sigurie. Në të njëjtën linjë qëndroi dhe i arrestuari, pasi deklaroi se punimet ishin kryer me dijeninë e autoriteteve vendore, edhe pse në mungesë të lejes së ndërtimit. Ai kishte marrë miratim për kryerje punimesh në objekt.
Një qëndrim i tillë e vendos mbrojtjen në një linjë të dyfishtë, nga njëra anë pranohet fakti i ndërhyrjes pa leje, ndërsa nga ana tjetër kërkohet përgjegjësi e ndarë me institucionet, bashkinë, që, sipas çiftit Halili, ishin në dijeni të situatës.

Gjykata e Durrësit caktoi ndaj Halilit masën e sigurisë “arrest në burg”, pavarësisht se e vlerësoi si të paligjshëm arrestimin e tij në flagrancë në mesnatën e 26 gushtit. Ky vendim tregon se, ndonëse procedura e arrestit ka pasur mangësi, rrezikshmëria e veprës dhe pesha e provave justifikojnë mbajtjen e tij në qeli.

Rasti i Halilit mbetet i hapur në dy plane, atë ligjor, që përqendrohet te fakti i ndërtimit pa leje dhe te mundësia e shpërdorimit të detyrës, si dhe ai publik, që lidhet me perceptimin për lidhjet mes pushtetit lokal, ndërtimit pa kriter dhe tolerimit institucional. Ndërkohë, refuzimi i SPAK-ut për të marrë përsipër dosjen dhe heqja e akuzës për korrupsion krijojnë një boshllëk që pritet të shpjegohet më qartë në fazat e ardhshme të hetimit.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Rezultuan me aflatoksinë, Kroacia bllokon ngarkesën me fiq të thatë nga Shqipëria

Kroacia ka bllokuar një ngarkesë me fiq të thatë të importuar nga Shqipëria. Sipas sistemit RASFF, analizat kanë treguar...

Ministrja Klodiana Spahiu reagon për Erjon Vishkullin: “Operacioni në Romë i shpëtoi syrin të riut të plagosur në protestë”

Ministrja Klodiana Spahiu e ka cilësuar ditën si një ditë lajmesh të mira, duke lidhur miratimin në qeveri...

Gjendet i pajetë shqiptari 31-vjeçar në Itali, trupi u zbulua në një pus 10 metra të thellë

Trupi i pajetë i 31-vjeçarit shqiptar Denaldo Maxhallaku është gjetur në fund të një pusi rreth 10 metra...

Erion Veliaj transferohet në burgun e Fierit, 2 ditë pasi mbështeti protestat studentore në Serbi

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar në paraburgimin e Fierit. Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që...