Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka nxjerrë një udhëzim të ri që ndalon kategorikisht përdorimin e telefonave celularë dhe pajisjeve të ngjashme në institucionet arsimore parauniversitare në Shqipëri.

Ministrja Ogerta Manastirliu, në një mesazh drejtuar nxënësve, mësuesve dhe prindërve, theksoi se shkolla duhet të jetë një hapësirë e përqendruar në mësim, ku mbizotërojnë qetësia, bashkëpunimi dhe respekti. Ajo theksoi se ky vendim nuk synon të përjashtojë teknologjinë, por ta orientojë atë drejt përdorimit të duhur dhe në kohën e duhur.“Ora e mësimit është për të mësuar, për të diskutuar, për të bashkëpunuar. Përdorimi i celularëve ul përqendrimin dhe rrit rrezikun e bullizmit. Masat e reja synojnë më shumë sukses në mësim dhe më shumë mirëqenie për nxënësit,” – deklaroi Manastirliu. Sipas udhëzimit të ri, nxënësit nuk duhet të marrin me vete telefonin në shkollë. Në raste të veçanta, të justifikuara nga prindi pranë drejtorisë së shkollës, telefoni duhet të qëndrojë i fikur dhe të dorëzohet në vendin e caktuar në klasë gjatë gjithë kohës së mësimit. Përgjegjës për zbatimin e këtij rregulli do të jenë mësuesi kujdestar dhe drejtoria e shkollës.Komunikimi në raste urgjente do të bëhet vetëm përmes shkollës, ndërsa prindërit janë ftuar të luajnë një rol aktiv për ta përforcuar këtë mesazh edhe në shtëpi. Në rast të moszbatimit të përsëritur të këtij rregulli, parashikohen masa disiplinore sipas rregullores së shkollës. “Zbatimi i këtij rregulli është një angazhim i përbashkët i mësuesve, prindërve dhe nxënësve. Vetëm në këtë mënyrë, ora e mësimit do të jetë realisht orë mësimi”, – theksoi ministrja. Me këtë hap, Shqipëria i bashkohet vendeve të tjera europiane që kanë ndërmarrë masa të ngjashme për të mbrojtur cilësinë e arsimit dhe shëndetin mendor të nxënësve, duke i larguar ata nga varësia ndaj teknologjisë gjatë orëve mësimore. Fillimi i vitit të ri shkollor më 8 shtator do të shënojë edhe hyrjen në fuqi të këtij rregulli të ri, i cili synon të rikthejë vëmendjen tek mësimi, disiplinën dhe ndërveprimin fizik në klasë.
©️zërionline


