Një tjetër humbje jete është shënuar pas aksidentit të rëndë rrugor që ndodhi mesditën e së hënës në autostradën Levan-Vlorë, pranë fshatit Panaja, te vendi i quajtur Kripa.
Pas mesnate, ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Vlorës 54-vjeçari Artan Muho, pasagjer në kamionçinën që u përplas në aksident. Ai u dërgua në gjendje të rëndë shëndetësore, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Ngjarja e rëndë u regjistrua të hënën rreth orës 14:25, kur një kamionçinë, që drejtohej nga Ferdinant Hasani, humbi kontrollin dhe u përplas me barrierat mbrojtëse të rrugës. Sipas policisë, kamionçina dyshohet të jetë goditur nga një automjet tip Dacia, ku udhëtonin dy shtetase të huaja.
Goditja rezultoi fatale për drejtuesin e kamionçinës, i cili humbi jetën në vend, ndërsa pasagjeri, që fillimisht u raportua në gjendje kritike, ka humbur jetën në spital duke e çuar në dy numrin e viktimave të këtij aksidenti.
Policia Rrugore e Vlorës po vijon hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të palëve të përfshira.
©️zërionline


