Korça është tronditur sërish nga një ngjarje e rëndë, që ngre pyetje të dhimbshme mbi vetminë dhe braktisjen e të moshuarve. Mbrëmjen e sotme, rreth orës 18:50, në lagjen nr. 10, është gjetur i pajetë në banesën e tij shtetasi N. Kita, 70 vjeç, i cili jetonte i vetëm.
Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se ai kishte humbur jetën disa ditë më parë. Trupi u gjet pasi fqinjët, të shqetësuar që nuk e kishin parë prej ditësh, njoftuan policinë. Për të hyrë në apartamentin e mbyllur, u desh ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës, ku më pas u bë edhe konstatimi.
Niko Kita, sipas burimeve vendore, mësohet se kishte dy vajza, njëra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tjetra në Itali. Edhe bashkëshortja e tij jeton në Itali. I mbetur vetëm në apartamentin e tij në Korçë, ai përballej çdo ditë me heshtjen e vetmisë, derisa humbja e jetës së tij kaloi pa u vënë re për ditë të tëra.
Autoritetet sqarojnë se nuk janë konstatuar shenja dhune dhe se grupi hetimor po vijon punën për përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Ky rast vjen vetëm pak ditë pasi në Korçë u zbulua një tjetër ngjarje e ngjashme: një burrë që kishte muaj që kishte ndërruar jetë, u gjet në apartamentin e tij, gjithashtu i harruar dhe i vetëm.
Një tjetër vdekje e vetmuar, që flet shumë për dramën sociale të izolimit të të moshuarve, të cilët shpesh mbeten pas në qytetet tona, ndërsa familjarët emigrojnë. Këto histori të dhimbshme ngrejnë domosdoshmërinë e një kujdesi më të madh shoqëror dhe institucional, në mënyrë që askush të mos shuhet në vetmi, i harruar nga të gjithë.
©️zërionline


