Një ngarkesë me pjeshkë të eksportuara nga Shqipëria u bllokua në kufirin kroat, pasi analizat laboratorike zbuluan praninë e nikelit mbi normat e lejuara. Lajmi është bërë i ditur nga Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF) më datë 22 gusht 2025, me numër reference 2025.6367.
Menjëherë pas njoftimit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) aktivizoi strukturat e tij në Fier për të hetuar rastin. Inspektimi në operatorin e biznesit ushqimor eksportues tregoi se në magazinat e tij nuk kishte mbetur produkt. Përmes sistemit të gjurmueshmërisë u verifikua se i gjithë prodhimi ishte dërguar për eksport dhe nuk kishte hyrë në tregun vendas.
Ngarkesa prej 5,562 kilogramësh pjeshkë u asgjësua në Kroaci, pasi rezultatet laboratorike konfirmuan tejkalimin e normave të sigurisë ushqimore. Rasti iu përcoll gjithashtu Agjencisë së Kontrollit dhe Veterinarisë së Mallrave Bujqësore (AKVMB) për masa të mëtejshme.
Ministria dhe AKU siguruan konsumatorët se frutat e ndotura nuk kanë qarkulluar në tregun vendas, duke minimizuar kështu çdo rrezik për shëndetin publik.
Ky rast vë në dukje rëndësinë e kontrolleve të vazhdueshme dhe zbatimin rigoroz të standardeve të sigurisë ushqimore, veçanërisht për produktet e destinuara për eksport, ndërsa ato që konsumojmë ne vendasit janë jashtë çdo kontrolli. Na ruajt Zoti!
©️zërionline


