Një ditë pas denoncimit publik të ish-zëvendësministrit të Arsimit, Taulant Muka, as pedagogu Eris Zeqo dhe as Universiteti i Durrësit (UAMD) nuk kanë reaguar ndaj akuzave për plagjiaturë dhe emërime të padrejta akademike.
Në një postim të bërë publikisht, Muka denoncoi se Zeqo, i cili ka mbajtur më parë postin e zëvendësdekanit, është emëruar shef i Departamentit të Shkencave Kompjuterike, pavarësisht se nuk ka profilin përkatës. Për më tepër, ai akuzon se doktoratura e tij është një plagjiaturë e plotë, e përkthyer “100% nga fillimi në fund”, me dhjetëra faqe të kopjuara.


“Ky është modeli i shkatërrimit të universitetit, i keqedukimit të të rinjve dhe i vrasjes së potencialit të vendit për të përfituar qindra miliona euro fonde të BE-së. Kur mashtrimi shpërblehet me poste drejtuese, universiteti humb misionin e tij, studentët humbin besimin dhe shoqëria humb të ardhmen”, thekson Muka.
Mungesa e reagimit nga ana e vetë pedagogut apo institucionit ka shtuar dyshimet dhe presionin mbi universitetin, duke ngritur sërish pyetje mbi cilësinë, transparencën dhe integritetin akademik në arsimin e lartë shqiptar.
©️zërionline


