Çfarë ndodh kur përfundon në “Një shtrat plot me të huaj”?!

Date:

Share post:

Komedia angleze mbush plot sallën e teatrit të Durrësit

Humor, personazhe që ndryshe janë e ndryshe hiqen, çifte që vihen në sprovë, histori jetësore, orientime seksuale që shfaqen ashtu siç janë dhe një dallaveraxhi. Jetë njerëzore që shpërfaqen brenda një dhome hoteli ku ndodh gjithçka dhe asgjë, njëkohësisht. Natyra njerëzore shfaqet lakuriq në përpjekje për të na trazuar mendimin dhe sjellë ndërmend histori të jetuara, apo jo, por që sjellin humor. Komedia angleze “Një shtrat plot me të huaj” u shfaq premierë, mbrëmjen e 28 marsit, në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, në një sallë të mbushur plot me artdashës që shijuan shfaqjen dhe u bënë pjesë e saj me të qeshurat e herëpashershme. 

E shkruar nga Dave Freeman dhe regji nga Adelina Muça, kjo komedi vjen si një shfaqje argëtuese plot të papritura dhe njerëz të panjohur që përfundojnë në të njëjtën dhomë hoteli, madje në të njëjtin shtrat. Skena këto të denja për pushime në destinacione turistike pak të njohura për frekuentuesit, pushuesit e hotelit. Nuk mungon as muzika dhe kërcimi. Aktorja mjaft e dashur për publikun durrsak Adelina Muça, më parë pjesë e trupës së teatrit profesionist “A. Moisiu”, kthehet në Durrës me këtë premierë të cilën ia dedikon nënës së saj që u nda pak kohë më parë nga jeta. Ajo nuk di ta ndajë Linën aktore nga regjisore dhe kërkon që të gjithë ta kthejnë kokën dhe të investojnë më shumë për të mbështetur teatrin.

“Kjo shfaqje nga Dave Freeman vihet për herë të parë në Shqipëri. Ai është autor i mbi 200 veprave teatrore dhe telekomedi, mes të cilave dhe e mirënjohura nga publiku shqiptar “Alo, Alo” Është një komedi që sjell shumë humor me situata të jashtëzakonshme. Nuk është nga veprat ku mund të mendosh apo reflektosh shumë. Është pak si Big Brother. Ngatërrohen identitetet, çiftet me njëri-tjetrin. Kam luajtur me elemente pak surealistë. Është një hotel që flet, me efekte. Një hotel që është rrënuar nga klientët që ka parë gjatë ekzistencës së vet. Dhe ai komunikon deri diku me ta.”

Aktorët Gentian Zenelaj, Mimoza Marianaku, Alesia Xhemalaj, Romir Zalla, Amos Muji Zaharia, Rudina Dembacaj dhe Selma Bakalli sjellin në skenën e teatrit humor dhe argëtim, përmes karaktereve dhe identiteteve të ndryshme, si dhe përpjekjes për t’u hequr ndryshe nga ç’janë në të vërtetë. 

“I vetmi që ka identitet dhe ka mbetur ashtu siç ka qenë është ky hoteli që në fund të shfaqjes duket se njerëzit lodhen kot për t’u hequr ata që nuk janë.”, shprehet regjisorja Muça. 

Aktorja e mirënjohur durrsake Mimoza Marjanaku vjen në rolin e administratorit të hotelit, një rol i veçantë të cilin e konsideron jo pak të vështirë, por që e ka realizuar plot natyrshmëri.

” Nuk është një rol i lehtë. Unë luaj rolin e Hajnsit që nga emri mund të hamendësohet ç’mund të përfaqësojë. Gjatë performancës kuptohet që kam një dilemë dhe publiku do ta kuptojë në jam drejtor a drejtoreshë. Për të realizuar këtë rol, kam zgjedhur të mendoj që ndjenja nuk ka gjini. Unë dua dikë dhe nuk ka rëndësi se kush është. Kjo më ka shpëtuar për ta zgjidhur personazhin.”

Në prag të sezonit turistik, komedia nxjerr në pah dhe realitete shpesh jo të këndshme për zonat turistike në zhvillim, ndaj dhe aktorja Mimoza Marjanaku, si durrsake që është, shfrytëzon rolin e pronarit të hotelit në komedi për të përcjellë një mesazh për të gjithë operatorët turistikë dhe veçanërisht hotelet: 

“Për dy muaj jemi në sezonin turistik dhe unë jam në lëkurën e personazhit të drejtorit, pronarit të një hoteli, t’i bëj një thirrje pronarëve të hoteleve që ajo që paraqesin në booking.com të jetë e vërtetë, pasi ndodh që paraqesin një hotel luksoz me kushte super të shkëlqyera dhe njerëzit që paguajnë, vijnë dhe gjejnë të kundërtën.”  

Gjatë premierës publiku që mbushte sallën vlerësoi dhe kostumografinë e realizuar me kujdes nga Lira Zahiri në funksion të individualitetit të personazheve, si dhe skenografinë e Laedia Hajdarit për t’i dhënë jetë një hoteli që dëshmon dhe reagon ndaj asaj që përjeton përmes klientëve dhe personelit të vet.

Komedia do të vijojë të shfaqet në teatrin e Durrësit edhe gjatë kësaj fundjave, në data 29, 30 dhe 31 mars, ora 19:00. 

@zërionline 

*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.

spot_img

Artikuj të lidhur

Rezultatet e votimit në PD/ Durrësi e Shijaku, mbështetje masive për Berishën

Ka përfunduar procesi i votimit në referendumin e votëbesimit në degët e Partisë Demokratike në Durrës dhe Shijak,...

Referendumi për Berishën në Durrës/ Pjesëmarrja arrin deri në 20% në 5 orët e para, ka edhe vota kundër

Procesi i votimit për referendumin e votëbesimit në Partinë Demokratike po vijon i qetë këtë të shtunë në...

U përplas me armë me policinë greke, plagoset shqiptari

Një përplasje me armë zjarri mes një shqiptari dhe policisë në orët e para të mëngjesit të sotëm...

Sherr në paraburgimin e Vlorës, dhunohet ‘biznesmeni’ 

Një sherr ka ndodhur në paraburgimin e Vlorës, ku sipas raportimeve të paktën 5 persona kanë dhunuar një...