Të shqetësuar për fatin e banesave ku jetojnë prej dekadash, përfaqësues të 32 familjeve që banojnë në ish-kabinat e plazhit në zonën e njohur si “Rrota e Kuqe”, protestuan këtë të premte para godinës së Bashkisë së Durrësit. Banorët kundërshtojnë urdhrin për lirimin e objekteve, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për një zgjidhje të menjëhershme të çështjes së strehimit.
Objektet ndodhen në vilat nr. 36 dhe 38, dhe sipas banorëve, janë bërë shtëpia e tyre prej më shumë se 35 vitesh.
“Jemi 32 familje që jetojmë aty brenda të gjitha rregullave. Kemi tetë vjet me gjyqe dhe tani përmbarimi kërkon të na nxjerrë jashtë. Jemi në rrugë të madhe”, u shpreh një prej banorëve gjatë protestës.
Një tjetër banore tha se: “Jemi aty që nga viti ‘91. Jemi me pleq, me invalidë. Nga ajo shtëpi nuk dalim. Të vdekur po, gjallë jo. Shteti të na strehojë.”
Protestuesit thonë se kanë përfituar statusin e të pastrehut dhe kërkojnë mbështetje konkrete nga Bashkia. “Rritëm fëmijët aty, i martuam aty. Po, ai që është pronar le ta marrë, por ne nga shtëpia nuk dalim”, tha një tjetër banore.
Bashkia e Durrësit lidhur me situatën ka sqaruar se familjet në fjalë mund të aplikojnë përmes portalit e-Albania për të përfituar nga programet e strehimit social, duke kaluar më pas në fazën e verifikimit të statusit.
“Kemi bërë një takim me kryetaren. Na tha të lajmërohemi dhe të gjejmë një zgjidhje, sepse nuk mund të nxirren 32 familje jashtë”, tha një tjetër banor.

Një çështje e vjetër, një përplasje e re
Historia e strehimit në ish-kabinat e plazhit nis në vitin 1991, kur qindra familje u sistemuan aty me vendime të Komitetit Ekzekutiv Pluralist të kohës. Me kalimin e viteve, një pjesë e këtyre trojeve u përfshi në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave.
Disa familje u sistemuan me strehim të ri, ndërsa të tjera vijuan për vite në procese gjyqësore. Në vitin 2013, lidhur me vilat gjykata i njohu të drejtën e pronësisë familjes Tirana dhe trashëgimtarëve të saj ligjorë. Së fundmi, gjykata ka vendosur lirimin dhe dorëzimin e objekteve, duke rikthyer në vëmendje një nga çështjet më të ndjeshme të strehimit në qytetin bregdetar.
©️zërionline


