Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pas mesnate në fshatin Salari të Tepelenës, ku u vra biznesmeni italian Edoardo Sarchi. Viktima, 44 vjeç, prej 25 vitesh jetonte në Laprakë të Tiranës dhe ishte ortak në një fabrikë tullash. Ai kishte shkuar në zonë për gjah, në shoqërinë e disa personave të tjerë.

Sipas burimeve zyrtare, trupi i pajetë i Sarchit është gjetur rreth orës 00:30 pranë një rruge rurale, mes fshatrave Nivicë dhe Salari. Policia është njoftuar menjëherë dhe forcat e rendit kanë mbërritur në vendngjarje, duke nisur veprimet e para hetimore.
Në një deklaratë për mediat, Policia e Shtetit bëri të ditur: “Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për zbardhjen e rrethanave, dokumentimin ligjor të ngjarjes dhe për identifikimin e autorit apo autorëve të dyshuar”.
Ndërkohë, personat që ndodheshin së bashku me 44-vjeçarin në momentin e ngjarjes janë shoqëruar në komisariat dhe po merren në pyetje për të dhënë dëshmi mbi rrethanat e vrasjes. Hetimet po vijojnë për të hedhur dritë mbi motivet dhe autorësinë e këtij krimi që ka tronditur zonën.
©️zërionline


