Ministrja e re e Shëndetësisë foli me entuziazëm për përdorimin e inteligjencës artificiale në sistemin shëndetësor në një konferencë në Londër, duke e paraqitur si hapin e radhës drejt modernizimit të shërbimeve. Por ndoshta ministrja Sala ende nuk e njeh plotësisht realitetin. Ndërsa jemi drejt fundit të vitit 2025, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, që është institucioni më i madh publik shëndetësor në vend, ende mungon një aparat PET CT, një mjet thelbësor për kapjen e hershme dhe diagnostikimin e saktë të sëmundjeve onkologjike.
Pacientët që përballen me diagnoza të rënda, veçanërisht me kancer, kontrollet e vazhdueshme, periodike, e dinë mirë pasojën e këtij boshllëku. Shpesh ata janë të detyruar të udhëtojnë jashtë vendit për të kryer ekzaminimin, pasi çmimet në një spital privat në Tiranë janë më të larta se kostot e udhëtimit, akomodimit dhe shërbimit në spitale dhe klinika jashtë Shqipërisë, që nisin nga 750 euro.
Në një kohë kur flitet për teknologji të avancuara, mungesa e aparaturave bazë në institucionet publike mbetet një paradoks i dhimbshëm. Para se inteligjenca artificiale të gjejë vend në spitalet tona, ndoshta është koha të sigurojmë që ekzamiminet jetike të jenë të aksesueshme për të gjithë, në spitalet publike.
©️zërionline


