Grabitet këtë mëngjes Luvri, muzeu më i vizituar në botë, në zemër të Parisit. Janë vjedhur nëntë pjesë nga koleksioni i bizhuterive të Napoleonit dhe të perandoreshës. Nuk ka pasur të plagosur, por disa dëshmitarë tregojnë se policia vraponte pranë piramidës dhe përpiqej të hynte në Luvër nga dyert anësore prej xhami, por ato ishin të mbyllura me çelës dhe ishte e pamundur të hapeshin. Brenda, “të gjithë vraponin dhe godisnin dyert prej xhami për të dalë jashtë”. Në fund, policia dhe xhandarmëria arritën të rikthenin qetësinë, por grabitësit tashmë kishin ikur me skuter Yamaha T-Max, duke marrë drejtimin e autostradës A6 drejt Lionit.
Sipas rindërtimit të parë të ngjarjes, të dhënë nga radio Europe 1, midis orës 9:30 dhe 9:40 banditët me fytyra të mbuluara sulmuan muzeun nga ana e Senës, ku po zhvillohen punime restaurimi. Ata vendosën një ashensor ndërtimi pranë një salle të Galerisë së Apolonit, ku ruhen bizhuteritë, më pas hapën dritaret duke përdorur sharra elektrike, dhe dy burra hynë brenda, ndërsa një i tretë qëndroi roje jashtë.
Grabitësit vodhën një varëse, një spile, një diademë dhe bizhuteri të tjera të Napoleonit, të ekspozuara në vitrinat kushtuar monarkëve francezë. Sipas një burimi të brendshëm të Luvrit, të cituar nga Le Parisien, diamanti i famshëm Régent, më i madhi i koleksionit me peshë mbi 140 karatë, nuk është vjedhur. Dëmi ende nuk është vlerësuar, por ekziston frika se bizhuteritë do të çmontohen menjëherë dhe ari do të shkrihet, ashtu siç ndodhi një muaj më parë me thërrimet e arit të vjedhura nga Muzeu i Historisë Natyrore.
Ministrja e Kulturës, Rachida Dati, shkoi menjëherë në vendngjarje. Ndërsa ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, e quajti ngjarjen “një grabitje të rëndësishme, janë vjedhur bizhuteri me vlerë të paçmuar gjatë një operacioni që zgjati vetëm shtatë minuta.” Sipas tij, që sapo është emëruar në qeverinë Lecornu pas disa vitesh si prefekt i policisë së Parisit, bëhet fjalë “qartësisht për një bandë që kishte bërë më parë vëzhgime paraprake.”
Një prej bizhuterive të vjedhura është gjetur jashtë muzeut, mendohet se është kurora e perandoreshës Eugenia, e cila është dëmtuar rëndë. Ministri i Brendshëm pranoi se ekziston “një cenueshmëri e madhe në muzetë francezë.” Ai shtoi: “Po bëjmë gjithçka të mundur për të gjetur sa më shpejt autorët dhe jam i bindur se do t’ia dalim, duke përdorur videot e survejimit dhe duke krahasuar të dhënat me raste të ngjashme, në mënyrë që të ngushtojmë rrethin e hetimeve.”
Muzeu do të qëndrojë i mbyllur gjatë gjithë ditës./Corriere della Sera


