“Këta njerëz, sot biznesmenë, dikur ishin banditë e kriminelë.”
I pranishëm në emisionin “Top Story” për të folur mbi fillesat e grupeve kriminale në vendin tonë dhe krimet e rënda në këto vite, që shumë prej tyre ende nuk kanë mundur që të zbardhen plotësisht, pedagogu i kriminalistikës Ervin Karamuço u shpreh se ato nisën me grupet e vizave nëpër ambasada, të cilat rezultuan goxha fitimprurëse.
Gjithashtu, ai tha se bandat e rajonit merrnin disa lëndë parësore nga Shqipëria, si zhiva e kuqe që përdorej për eksplozivë duke bërë që aktiviteti i grupeve kriminale të zgjerohej më shumë.
“Kishte disa lëndë që u kërkuan në luftën e Jugosllavisë. Zhiva e kuqe ishte për eksploziv. Ofroheshin shumë para në atë kohë dhe e kërkonin nga ne. Grupet kriminale e siguronin nga Shqipëria.
Trafiku i makinave të vjedhura, edhe në Kroaci Bosnjë, Mal të Zi e Serbi. Na është vrarë një komisar policie për kontrabandën e cigareve, e vranë bandat dhe është histori e pazbardhur. Kontrabanda e rrobave të përdorura që kanë fuqizuar grupet e Elbasanit, biznes jashtëzakonisht fitimprurës”-tregoi Karamuço duke renditur disa nga veprimtaritë e paligjshme që ‘pollën’ një pjesë të mirë të biznesmenëve të sotëm.
Sipas tij, këto grupe u pasuruan shumë dhe sot janë ndër biznesmenët më të mëdhenj në vend.
Ai gjithashtu tha se në Shqipëri elementët kriminalë funksionojnë ende si grupe kriminale të strukturuara, por po synohet të krijohet familja mafioze që ka fuqinë të komandojë edhe shtetin.
“Ka një tendencë lidhur me krijimin e një familjeje mafioze të mirëfilltë, kryesisht në Shqipërinë e Mesme dhe në veri. A ekzistojnë kushtet, po! Janë këto goditje falë SKY dhe Encrochat të cilat atrofizojnë mundësinë që të avancojnë dhe të jenë një luftë për autoritetet tona që do ndihen të pafuqishme.”, tha ai.
@zërionline


