Sopranoja shqiptare Inva Mula është nderuar me çmimin “Ambasadore e Paqes” nga Koalicioni “Gruaja, Paqja dhe Siguria”. Në fjalën e rastit, sopranoja e mirënjohur edhe në arenën ndërkombëtare përcolli mesazhe për rolin thelbësor të gruas, duke nisur nga familja.
Për koalicionin GPS ky aktivitet ishte i një rëndësie të veçantë, pasi u nderua me çmimin “Ambasadore e Paqes”, Inva Mula, Nderi i Kombit.

Sopranoja është një nga figurat më të njohura të artit dhe kulturës në vend. Ajo shprehu mirënjohje për vlerësimin dhe njëkohësisht angazhimin e saj, në përcjelljen dhe lobimin në arenën kombëtare e ndërkombëtare, për zbatimin e Axhendës “Gruaja, Paqja e Siguria”, Rezoluta 1325 e Kombeve të Bashkuara.
Të pranishëm në event ishin përfaqësues të lartë të qeverisë, drejtues të përfaqësive diplomatike dhe gra përfaqësuese të Forcave të Armatosura që ndanë përvojën e tyre në punën për zbatimin e Rezolutës 1325 të KSOKB-së “Gruaja, Paqja e Siguria” dhe vendosën theksin në forcimin e partneritetit mes institucioneve dhe shoqërisë civile në çuarjen përpara të kësaj axhende.
Ky event u organizua nga shoqata “Gender, Paqe e Siguri”, me mbështetjen e Albanian Women Empowerment Network, në kuadër të punës shumëvjeçare të Kolacionit “Gruaja, Paqja e Siguria” në Shqipëri.
“Gjithë jetën kam udhëtuar në teatrot më të mëdhenj të botës dhe kam pasur kontakte me nivele të ndryshëm të shoqërisë, që kanë parë tek unë një model. Jam përpjekur dhe përpiqem që këtë model ta jap jo me Invën që shohim në skenë, me fustanet e bukura e me make up, por me Invën e thjeshtë, nënën që edukon dy fëmijë dhe që mundohet të jetë në radhë të parë shembull për ta. Përpiqem ta edukoj djalin që të trajtojë vajzën që ka në krah, ose gruan që do ketë nesër, ashtu siç do të donte ai që të tjerët të trajtonin nënën e tij. Modelet nisin aty, në familje. E di që nuk është e lehtë. Do shumë punë për ta vendosur gruan aty ku duhet”, u shpreh sopranoja Mula.
Gjatë aktivitetit u përcollën mesazhe për rolin e gruas në proceset paqeruajtëse në një botë gjithnjë e më të trazuar, duke nisur nga qeliza bazë e shoqërisë- familja nga ku nis paqja dhe siguria e çdokujt.
@zërionline


