Një vajzë 12-vjeçare nga Delvina është dërguar me urgjencë mjekësore drejt Tiranës, pasi dyshohet se ka konsumuar një sasi të konsiderueshme tabletash të llojit Deparkin, një medikament i përdorur nga pacientët me Parkinson.
Ngjarja ndodhi këtë pasdite, kur e mitura, me inicialet I.H., u gjet nga familjarët në gjendje të rënduar shëndetësore në banesën e saj. Menjëherë ata e kanë transportuar në spitalin rajonal të Sarandës, ku mjekët konstatuan se situata ishte serioze.
Burime nga spitali bëjnë me dije se vajza ka deklaruar se medikamentet i kishte marrë nga shtëpia, të përdorura prej një prej familjarëve. Pas kryerjes së analizave, dhe duke marrë parasysh moshën e vogël dhe gjendjen e përkeqësuar, mjekët vendosën ta transportonin me helikopter drejt një spitali në Tiranë për trajtim të specializuar.
Gjendja shëndetësore e 12-vjeçares mbetet ende e rëndë, ndërsa mjekët po ndjekin nga afër rastin për të shmangur komplikacione të mëtejshme.
Autoritetet pritet të hetojnë rrethanat e ngjarjes për të saktësuar si ka ndodhur konsumimi i barnave.


